Sport

Avni Gashi merr besimin, pritet reagimi i grupit tjetër

Avni Gashi ishte i pari që u paraqit në sallën e një hoteli të Prishtinës. Po bënte përgatitjet e fundit para se të udhëhiqte Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK). Thirrjen për Kuvend e ka bërë pikërisht Avni Gashi, që fitoi 24 vota prej 44 delegatëve sa kishin të drejtë vote. Ftesa u është bërë, siç tha Gashi, 48 klubeve të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Por vetëm 44 klube, sipas tij, kishin të drejtë vote.

Në fakt, MKRS-ja kërkoi kuvend të ri të FKK-së dhe përcaktoi që në të mund të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e klubeve që janë licencuar. Dhe, Gashi mori 24 vota prej klubeve të licencuara. Monitorimin e Kuvendit e bënë vetëm zyrtarë të MKRS-së, por jo edhe të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), kryetar i të cilit është Ismet Krasniqi. Institucioni që Krasniqi e drejton e kishte pranuar si të rregullt Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbajtur në korrik, që nxori drejtues të ri të FKK-së, Besart Barutin. Por përfaqësuesit e MKRS-së, që monitoruan atë kuvend të jashtëzakonshëm gjetën shkelje të ndryshme. Ndër të tjera, kryetari i zgjedhur në atë kuvend, Besart Baruti, nuk kishte bazë deleguese nga asnjë klub i licencuar, sipas raportit të monitoruesve nga MKRS-ja. Pas raportit, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, aprovoi propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për pezullim të licencës së Federatës së karatesë. Sipas vendimit, veprimet e Federatës së karatesë ishin në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe rivlerësimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së. Zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija nuk ka dhënë ndonjë opinion në lidhje me procesin zgjedhor. Ajo ka thënë se do të bëhet një raport rreth procesit të Kuvendit.

“Situata në FKK nuk është të themi një situatë normale, kemi probleme për të cilat jeni veçse të njoftuar. Ne si ministri jemi të obliguar të monitorojmë kuvendet e federatave, edhe këtë kuvend e kemi monitoruar për shkak se raporti që bëhet i dërgohet zyrës ligjore dhe ditët në vazhdim do të kemi një konstatim real për situatën dhe komplet mbarëvajtjen e këtij kuvendi”, shtoi Fazlija.

Pas Kuvendit që zgjati gati dy orë, Avni Gashi tha se FKK-së i është kthyer legjitimiteti.

“Të gjithë i besuan të drejtës të cilën e përfaqësoj unë dhe në procedurë të rregullt sipas te gjitheve qe ishin prezent po edhe letrave qe i kishim para vetes rezultoi te ishte i suksesshem edhe ne aspektin kualitativ edhe kuantitativ. Ne kete mes kemi zgjedhjen e kryetarit, dy nenkryetareve dhe anetareve te bordit”, tha Gashi.

Avni Gashi ka shtuar se tani i pret një punë e madhe për të bërë dhe nuk kanë kohë për të humbur.

“Kemi punë për të bërë, sepse në departamentin e OJQ-ve është bërë një intervenim ku është vendosur një person i ashtuquajtur kryetar dhe në të ardhmen e afërt do të kthehet edhe ligjshmëria edhe në departament të OJQ-ve dhe të gjitha. Po ashtu, kemi edhe xhirollogarinë të marrë nga muaji korrik. Na pret punë e madhe, por të gjitha do të vijnë në vend”, shtoi ai.

Ai pret që pjesa tjetër e klubeve mospjesëmarrëse në Kuvendin e jashtëzakonshëm të reflektojnë dhe t’i bashkohen familjes së karatesë.

“Ne jemi para një Kampionati Botëror që do të mbahet më 24 tetor në Budapest dhe nëse nuk kemi licencë nuk do të mund ta përfaqësojmë shtetin, sepse jo çdo OJQ mund të jetë federatë, pasi që ligji njeh një federatë. Andaj kjo federatë duhet të jetë e licencuar, rrjedhimisht ta përfaqësojë si shtet Kosovën në atë kampionat. Ky ishte qëllimi, që të shpëtohet licenca, se kush do të ishte kryetar, unë me kënaqësinë më të madhe nuk do të isha, duke e parë këtë periudhë katërmujore që ka qenë me shumë prapaskena, fjalë, shpifje e deri në linçime”, tha Gashi.

Por është Nazmi Gashi që thotë se Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i mbajtur të enjten e që për kryetar nxori Avni Gashin, është thirrur jashtëligjshëm.

“Ky është total i jashtëligjshëm, është jashtëstatutar. Është kuvendi më cirkus që e kam parë ndonjëherë në historinë e sportit kosovar, jo vetëm në karate, kjo është hajgare krejt”, ka thënë Nazmi Gashi të enjten për KOHËN.

Grupi i udhëhequr nga Nazmi Gashi dhe Besart Baruti kanë thirrur një tjetër Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor. Kuvendi është caktuar të mbahet më datën 7 tetor, në orën 18:00.

“Ne e kemi në bazë të statutit kuvendin, i cili mbahet me procedurë statutare, s’ka të bëjë me këtë cirkus. E kemi thirrur më datën 7, në orën 18:00, kuvendi i FFK-së është atë ditë”, ka theksuar Nazmi Gashi.

Ai ka theksuar se tashmë kanë paditur edhe MKRS-në.

“Ky ishte për të bërë pak hajgare dhe për t’ua rregulluar apetitin shokëve të tyre që i kanë mbajtur në presion. Përndryshe është kuvend krejtësisht i jashtëligjshëm. Fatkeqësia e madhe është që MKRS-ja ka ndërhyrë vazhdimisht. MKRS ka bërë shkelje më shumë se këta, ua ka licencuar 7 klube pa procedurë që shkon përmes Federatës për të bërë kuorum, por s’ kanë bërë sërish. I kanë hequr disa klube me të drejtë vote, i kanë futur 4 pa të drejtë vote,. por nuk kanë bërë asgjë. 53 klube në bazë të statutit dhe rregullores kanë të drejtë vote”, është shprehur Nazmi Gashi.

Karateja kosovare ka javë që është ndarë në dy grupime. Dhe në zhvillimet rreth dy grupeve - atij të udhëhequr nga Avni Gashi dhe atij që përfaqësohet nga Nazmi Gashi e Besart Baruti - është përfshirë edhe më fuqishëm Komiteti Olimpik i Kosovës.

Së fundmi, pati akuza për tentim të sabotimit të kuvendit të Federatës së karatesë.