Sport

Avni Gashi fton kuvend të karatesë, Komiteti Olimpik e konteston ftesën

Karateistët e Kosovës prej së premtes e deri të dielën do të matin forcat me karateistët e vendeve të tjera të regjionit. Gara në arenë do të jetë në kuadër të Kampionatin Ballkanik në Tiranë.

Derisa karateistët mund të jenë në vlugun e përgatitjeve, fokusi i drejtuesve është diku tjetër. “Gara” vazhdon të jetë shumë e ashpër në mes të grupeve që pretendojnë se janë legjitime për ta udhëhequr Federatën e Karatesë së Kosovës.

Në zhvillimet e dy grupeve - atij të udhëhequr nga Avni Gashi dhe grupit që përfaqësohet nga Nazmi Gashi e Besart Baruti - është përfshirë edhe më fuqishëm Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Avni Gashi, i cili e vlerëson veten kryetar të FKK-së, ka thirrur Kuvend të Jashtëzakonshëm. KOHA ka siguruar komunikimin që Avni Gashi e ka bërë gjatë ditëve të fundit me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti. Avni Gashi ka ftuar KOK-un dhe MKRS-së për monitorim të kuvendit të jashtëzakonshëm të thirrur për 28 shtator. Në emailin e Avni Gashit shkruan se të drejtë pjesëmarrjeje në Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor kanë 48 klube të licencuara nga MKRS-ja.

MKRS-ja kohë më parë ka njoftuar se ministri Hajrulla Çeku ka aprovuar propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për pezullim të licencës së Federatës së karatesë. Sipas vendimit, veprimet e Federatës së Karatesë janë në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe rivlerësimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së. MKRS-ja kërkoi kuvend të ri të federatës dhe përcaktoi që në të mund të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e klubeve që janë licencuar. Në rast se Federata nuk e respekton ligjin, MKRS-ja ka kërcënuar se do t’ia tërheqë plotësisht licencën. Licenca është bazike për funksionimin e një federate sportive.

“Një kuvend me mbarëvajtje dhe rezultate të ligjshme e kredibile do ta shpëtonte Federatën e Karatesë së Kosovës nga gjendja e krijuar dhe do ta ruante licencën e fituar me aq mund e pritje kohore, e vlefshme kjo edhe për të mirën e federatës, klubeve dhe sportistëve”, shkruan Avni Gashi në ftesën për Kuvend, të dërguar më 17 shtator.

Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, ka vlerësuar se thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm nga Avni Gashi është në kundërshtim të plotë me statutin e FKK-së. Aliti ka shkruar se kush mund ta thërrasë kuvendin, duke bërë kështu interpretimin e statutit të FKK-së.

Në fakt, ka plot telashe të brendshme të federatave në të cilat KOK-u nuk përfshihet. Për shembull nuk ishte përfshirë në zhvillimet e shumta në FFK.

“Ju lutem që të reflektoni urgjent dhe ftesa e kuvendit të bëhet nga sekretaria e federatës, ashtu siç e parasheh edhe statuti. Çdo veprim tjetër do të rezultojë me procese gjyqësore dhe bllokim të sportistëve të karatesë, gjë e cila është shumë e dëmshme për sportin e Kosovës”, shkruan në letrën e Alitit të 19 shtatorit.

Ai u ka bërë thirrje edhe ministrit Hajrulla Çeku, zëvendësministres, Daulina Osmani, dhe përfaqësueseve të Departamentit të Sportit.

“Ju lutem që të reagoni urgjent dhe të ndaloni këtë vepër e cila do të rezultojë me një paligjshmëri totale. Ju lutem që të thirreni në dispozitat ligjore të cilat e rregullojnë sportin në vend dhe në statutin e federatës të cilin e keni pranuar si të vlefshme gjatë procesit të licencimit. E vetmja mënyrë që një kuvend i Federatës së Karatesë të jetë i ligjshëm, është të ftohet nga sekretaria e Federatës, ashtu siç e parasheh edhe statuti. Gjithashtu, Kuvendi duhet të konvokohet vetëm duke respektuar ligjet në fuqi dhe statutin e federatës”, shkruan Aliti.

Avni Gashi i ka kthyer sërish email Altitit duke ia rikujtuar, sipas tij, ndërhyrjen e KOK-ut në punët e Federatës.

“Sikur mos të mjaftonte ndërhyrja e juaj me dy letrat tuaja nga KOK drejtuar federatës botërore të karatesë, WKF, është e çuditshme nga vjen guximi, interesi dhe baza ligjore që KOK-u dhe ju si sekretar të provoni të ndërhyni në punët e brendshme të FKK-së e për më tepër të interpretoni statutin e FKK-së me shtrembërim e po ashtu me një dirigjim për përçarje (kush ta ftojë kuvendin). Personalisht jam munduar të faktoj se parregullsitë e kaluara e dëmtuan FKK-në deri në këtë masë andaj përpiqem që në përpikëri të respektoj çdo akt normativ dhe interesat personale nuk janë pjesë e imja. Edhe një herë ju lutem që të qëndroni si monitorues të FKK-së e jo të ndërhyni apo edhe të furnizoni me informacione dhe instruksione të dëmshme pikërisht personat të cilët e shkelën çdo normë dhe e sollën karatenë buzë greminës”, shkruan në letrën tjetër të Avni Gashit.

Ka disa muaj që ka përplasje të mëdha në karatenë kosovare. Një grup mbajti një kuvend të jashtëzakonshëm, që shpalli drejtues të rinj të Federatës. Por përfaqësuesit e MKRS-së që monitoruan atë kuvend të jashtëzakonshëm gjetën shkelje të ndryshme. Ndër të tjera, kryetari i zgjedhur në atë kuvend, Besart Baruti, nuk kishte bazë deleguese nga asnjë klub i licencuar, sipas raportit të monitoruesve nga MKRS-ja.

Ndërkohë Komiteti Olimpik i Kosovës ka pranuar atë kuvend si të rregullt dhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka nisur letër në Federatën Botërore të Karatesë për ta njoftuar për “strukturën e re të Federatës së Karatesë”. Një letër të ngjashme e kishte nisur edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.