Kryetari dhe sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës aktualisht kanë vetëm një të përbashkët - mbiemrin. Por kryetari aktual, Avni Gashi, dhe sekretari i përgjithshëm, Nazmi Gashi, kanë qëndrim plotësisht të kundërta rreth zhvillimeve të fundit në shtëpinë e karatesë kosovare.
Javën e kaluar nga sekretari Nazmi Gashi u njoftua për dorëheqjen e dhjetë anëtarëve të Bordit të FKK-së. Në një situatë të tillë, sipas Statutit të Federatës, mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor.
Thirrja për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Federatën e Karatesë tashmë është bërë nga sekretari Gashi. Si datë e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor është caktuar 4 korriku. Madje janë caktuar edhe vendi dhe ora e mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor. Kuvendi, sipas njoftimit, mbahet nga ora 17:00 dhe përmban tri pika në rend të ditës: zgjedhja e kryetarit, dy nënkryetarëve dhe nëntë anëtarëve të Bordit Ekzekutiv.
Sipas njoftimit që u është dërguar klubeve, kandidatët kanë kohë për t’i dërguar aplikimet deri më 1 korrik. Të drejtë vote kanë klubet që kanë paguar detyrimet financiare ndaj FKK-së për vitin 2022, si dhe klubet e reja të pranuara në Kuvendin e Rregullt të mbajtur më 9 maj.
“Kjo datë është caktuar me qëllim të shmangies së çfarëdo vakumi funksional në FKK dhe me qëllim të vazhdimësisë së punës sipas Statutit të FKK-së”, shkruan në njoftimin e dërguar të shtunën.
Por, të hënën pasdite Federata e Karatesë e Kosovës njoftoi për mbledhjen e radhës të Bordit, e udhëhequr nga kryetari aktual, Avni Gashi. Njoftimi është shoqëruar edhe me disa fotografi, ku shihen disa anëtarë të Bordit të FKK-së. Në njoftim nuk është njoftuar për vendimet që janë marrë.
Por kryetari aktual i FKK-së, Avni Gashi, thotë se nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme. Ai thekson se janë zëvendësuar dy anëtarë të bordit të zgjedhur në kohën kur kjo Federatë drejtohej nga Ismet Krasniqi, tani kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Avni Gashi e Nazmi Gashi përfaqësojnë tashmë dy grupe të ndryshme të familjes së karatesë. Njëri grup pretendon se Avni Gashi vazhdon të jetë kryetar i Federatës. Grupi tjetër, ai i Nazmi Gashit, pretendon se federata është pa bord, e rrjedhimisht pa kryetar, për shkak të dorëheqjes së shumicës së anëtarëve të bordit.
“Kanë ndodhur disa nënshkrime. Kanë qenë të manipuluar dhe njëri prej tyre është tërhequr, sepse e ka parë veten të manipuluar. Dy prej tyre kanë qenë me përzgjedhje të ish-presidentit Ismet Krasniqi. Ata dy i kam zëvendësuar me dy të tjerë, ashtu siç parashihet edhe me statut dhe me kompetencat e kryetarit. E kemi kuorumin për të vazhduar me mbledhje të bordit. Nuk ka kuvend të jashtëzakonshëm, as zgjedhje të reja”, ka thënë Avni Gashi për KOHËN. Ai nuk e vë në dyshim vazhdimin e angazhimit si kryetar i federatës. Thotë se sekretari Nazmi Gashi ka tejkaluar kompetencat me thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor.
“Kuvendi i jashtëzakonshëm është thirrur nga sekretari, por në asnjë variant nuk lejohet thirrja e konvokimi i kuvendit prej sekretarit. Është tejkalim i kompetencave të sekretarit. Nuk ka asgjë tjetër, do të vazhdoj, pasi nuk ka as zgjedhje, as asgjë tjetër. Thjesht vazhdojmë, bordi ka shumicën. Nuk ka asnjë vend për turbulenca”, është shprehur Avni Gashi. Ai drejton Federatën e Karatesë prej marsit të vitit të kaluar.
Avni Gashi thotë se ka kuorum për t’u mbajtur mbledhjet e Bordit. Thotë se janë dhjetë prej 15 anëtarëve sa ka Bordi. Avni Gashi thotë se ka pasur tentim për t’i bërë puç nga grupi i pakënaqur me punën e tij.
“Është thjesht një grupim dhe tentativë për puç, pasi kam qenë jashtë shtetit. Është një tentativë për puç me arsye të shtirura. Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës nuk na lejon të marrim pjesë në Evropian, këta e fajësojnë Avni Gashin si kryetar pse ke dështuar të marrësh pjesë në Evropian. Janë akuza absurde. Nuk kanë kurrfarë baze”, thotë ai.
Tregon se për situatën e re të krijuar në FKK është e njoftuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Më shumë më vjen keq për logjikën e shkatërrimit që e kanë përdorur, sepse nuk ka as bazë ligjore, as rregullat administrative nuk janë respektuar, as kompetencat, plus janë qitur në lajthitje dhe ka pasur ndikime prej brenda dhe jashtë. E kam njoftuar menjëherë MKRS-në dhe do t’i dërgoj një raport më të detajuar. Ua kam dërguar të gjitha shkresat që kam marrë nga sekretaria. Shpresoj të japin një mendim edhe ligjor për procedurat që janë ndërmarrë”, ka thënë Avni Gashi.
Sekretari Nazmi Gashi e quan Avni Gashin “kryetar në detyrë”. Nazmi Gashi ishte sekretar edhe në kohën e Ismet Krasniqit.
“Mendojmë që mbledhja e Bordit Ekzekutiv nuk është në harmoni me rregulloret dhe statutin e FKK-së. Ftesa për kuvend nga sekretaria e FKK-së është bërë bazuar në Statutin e FKK-së”, ka thënë Nazmi Gashi për KOHËN.
Ka kohë që ka përplasje të brendshme e goxha të fuqishme brenda komunitetit të karatesë. Dhe ato vlerësohet se e frenojnë zhvillimin e karatesë. Ka kohë që nuk është fituar ndonjë medalje e madhe. Kosova nuk mori pjesë me karate në Lojërat Evropiane. Ndërkohë karateisti kosovar, Alvin Karaqi, që përfaqësoi Shqipërinë, fitoi medalje të artë.
Pos në karate, ndarje të madhe aktualisht ka edhe në not. Shpesh ndarje ka edhe në taekwondo e në disa sporte të tjera.