Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bordi i drejtuar nga Avni Gashi shkarkon Nazmi Gashin

Në mbledhjen e mbajtur të Bordit të Federatës së Karatesë të Kosovës të drejtuar nga Avni Gashi është marrë vendim për shkarkimin e Nazmi Gashit. Nazmi Gashi është zyrtarisht ende sekretar i FKK-së. Mbledhja e Bordit që pretendon se kryetar i FKK-së është Avni Gashi u mbajt të mërkurën, një ditë pasi grupi tjetër mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FKK-së e që zgjodhi strukturat e reja drejtuese.

“'Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor' shpallet i paligjshëm dhe në kundërshtim me statutin. Shkarkohet sekretari z. Nazmi Gashi për tejkalim kompetencash si dhe dështim në përmbushjen e detyrave të përshkruara në statutin e FKK-së”, ka thënë Avni Gashi për KOHËN.

Ndërkohë Nazmi Gashi thotë se nuk e njeh këtë vendim.

Ai insiston se Bordi i drejtuar nga Avni Gashi nuk është funksional prej 22 qershorit.

“Ai Bord nga data 22.06.2023 nuk është funksional sepse me shkrim janë dorëhequr 10 nga 15 anëtaret e Bordit Ekzekutivë të FKK-së. Po ashtu, mbrëmë është mbajtur dhe Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor dhe kanë dalë organet drejtuese të Federatës ku kryetar është zgjedhur Besart Baruti si dhe janë zgjedhur dhe nënkryetarët dhe anëtarët tjerë të Bordit Ekzekutiv të FKK-së. Avni Gashi nuk ishte në kuvendin ku morën pjesë 31 klube me të drejtë vote të FKK-së. Ndërsa nesër mbahet Mbledhja e Bordit Ekzekutivë të FKK-së, ftuar nga kryetari legjitim Besart Baruti. Nëse nga ai Bord (legjitim i dalë mbrëmë nga kuvendi) unë shkarkohem, e pranoj si vendim sepse buron nga Kuvendi. Ky bord qe e paska thirr Avniu, ish-kryetari i FKK-së, nuk ka legjitimitet dhe s’e njoh këtë vendim", ka thënë të mërkurën Nazmi Gashi për KOHËN.