Sport

Pretendohet për ndërhyrje në Statutin e FFK-së

Neni 70 është i fundit në Statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Statuti është dokumenti bazik i një federate. Ky nen i ka dy pika, ndërsa poshtë pikës së dytë shkruan: Prishtinë, 02.03.2018.

Statuti, ashtu si kërkohet, është i paraqitur në sajtin zyrtar të FFK-së. Por Statuti mund të ketë pësuar ndryshime pas përplasjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës që po zgjatin për kohë të gjatë. Se ka pasur ndërhyrje të palejuara në Statut thotë Arianit Ahmeti, ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i FFK-së.

Ai ka prezantuar një kopje tjetër të Statutit. Në të, poshtë “Prishtinë, 02.03.2018”, shkruhet: Për Federatën e Futbollit të Kosovës: Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri; sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu”.

Kjo pjesë, pra emrat e Vokrrit dhe Salihut, Ahmeti pretendon se janë hequr në fillim të këtij viti nga drejtuesit aktual të FFK-së. Salihu së fundi është përjashtuar nga FFK-ja, vendim që nuk e pranon ish-futbollisti e trajneri. Ai për kohë të gjatë ka mbajtur pozitën e sekretarit gjeneral të federatës më të madhe në vend, ndërsa së fundi ishte në dy pozita të tjera. Salihu, njëjtë si Ahmeti, kanë mospajtime të hapura me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, dhe me drejtuesit e tjerë të Federatës.

Sipas Ahmetit, largimi i emrave të Vokrrit e Salihut në fund të Statutit nuk mund të bëhet pa miratim të Kuvendit. Ai pretendon se në Statut nuk mund të preket asnjë presje pa miratim të Kuvendit.

“Është një shkelje e radhës ku shihet qartë ndërhyrja që është bërë në Statutin e FFK-së. Nuk guxon as pikë e as presje të ndryshohet pa miratimin e kuvendarëve. Është e qartë që duan ta fshijnë çdo gjurmë të Fadil Vokrrit dhe Eroll Salihut. Si duket, ndryshimi është bërë më 24 janar të këtij viti”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.

Në sajtin e FFK-së datë e krijimit të dokumentit të Statutit është 17 janari i vitit 2019. Ndërsa modifikimi i fundit i këtij dokumenti është bërë më 24 janar të këtij viti.

Nga FFK-ja ka kohë që nuk përgjigjen në akuzat që u bëhen nga Ahmeti, Salihu dhe të tjerë që kanë qëndrime të njëjta.

Image