Më 6 janar, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se ka caktuar 27 janarin për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Prej njoftimit të lëshuar pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, njoftim tjetër rreth Kuvendit nuk ka nga FFK-ja. Në faqen zyrtare nuk është treguar ora e as vendi se ku do të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm, i thirrur për të premten për miratimin e Statutit të ri të FFK-së. Nuk dihet nëse Kuvendi i FFK-së do të jetë i hapur për t’u përcjellë nga mediat.
Në fakt, FFK-ja ka qenë e heshtur edhe ndaj akuzave në drejtim të saj nga disa klube dhe ish-sekretari Eroll Salihu. Drita, Prishtina dhe Trepça ’89 kanë njoftuar publikisht se nuk do ta votojnë Statutin e ri. Sipas tyre, draftstatuti i dërguar nga FFK-ja në adresë të klubeve, përkatësisht delegatëve, ka shumë parregullsi.
Për t’u miratuar Statuti i ri duhet të jenë të pranishëm e po ashtu të votojnë pro dy të tretat e delegatëve. Gjasat janë të mëdha që të miratohet Statuti i ri.
Sipas tri klubeve të Superligës, i gjithë procesi i përgatitjes dhe draftimi janë karakterizuar me parregullsi, me mungesë transparence, si dhe me mungesë të konsultimeve me klubet. Të tri klubet kanë bërë thirrje të mos votohet draftstatuti i FFK-së. Federatës së Futbollit të Kosovës i ishte kërkuar nga një komision i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të bëjë ndryshime në Statut për të përmbushur disa prej kritereve për t’u pajisur me licencë. Dhe për këtë arsye është thirrur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Punës.
Ndërkohë të mërkurën Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) i MKRS-së i ka kërkuar Agim Ademit që me efekt të menjëhershëm ta pezullojë postin e kryetarit të FFK-së. Në letrën e Komisionit shkruan se nëse Ademi refuzon ta bëjë një gjë të tillë, atëherë kërkohet që kryetarin aktual të FFK-së ta pezullojë Komiteti Ekzekutiv i Federatës.
KVLFS-ja vlerëson se Ademi që prej qershorit të vitit 2019 ushtron detyrën e kryetarit të FFK-së në kundërshtim dhe në shkelje të akteve normative të FIFA-s. Komisioni ka shkruar se Ademi ka proces të hapur gjyqësor për vepër penale.
Agim Ademi ishte gjykuar më herët për një rast që nuk lidhet me futbollin. Rigjykimi ndaj tij ka dështuar të nisë.
Në mbështetje të Agim Ademit kanë dalë të mërkurën disa lidhje rajonale të futbollit. Vetëm ajo e Gjilanit jo.
Para Kuvendit Zgjedhor të 6 prillit të vitit të kaluar, ku u votua për kryetar, pati shumë përplasje, akuza e kundërakuza, kryesisht në distancë. Agim Ademi, megjithatë, kishte fituar besimin e delegatëve.
Kuvendi ishte mbajtur pa praninë e mediave dhe me shumë pjesëtarë të sigurimit në selinë e FFK-së.