Ky koncert është organizuar në prag të “Forumit të zgjerimit” në të cilin për herë të dytë me radhë Komisioni nuk ka ftuar askënd nga institucionet e Kosovës
Një koncert në Bruksel, i cili ishte menduar të relaksonte atmosferën në prag të “Forumit të Zgjerimit”, që zhvillohet të hënën (sot), është shndërruar në skandal dhe është bërë temë edhe në mesin e diplomatëve evropianë.
“Forumi i Zgjerimit” është ngjarja kryesore vjetore kushtuar këtij procesi, në të cilin Komisioni Evropian fton pjesëmarrës nga vendet e zgjerimit, si nga institucionet e shtetit, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe mediat. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij forumi kanë pasur mundësi të regjistrohen edhe për të ndjekur koncertin të dielën mbrëma.
Por në këtë rast ka ndodhur një skandal, kur si këngë nga Kosova është interpretuar një melodi, pa tekst, e këngës nacionaliste serbe “Sa Kosova tora sviće”, teksti i së cilës flet se si serbët nuk do ta japin Kosovën. Teksti i kësaj kënge ishte shkruar në vitin 1989, kur Millosheviqi kishte nisur politikën e tij serbomadhe, e cila nga Kosova më pas kaloi edhe në pjesë të tjera të territorit të ish-Jugosllavisë.
Për këtë skandal kanë reaguar tashmë zyrtarë nga Kosova, përfshirë ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, dhe kryenegociatorin për raportet me BE-në, Jeton Zulfaj.
Melodia e kësaj kënge është interpretuar kinse me qëllim që, përmes saj, të përfaqësohet Kosova, ashtu siç ka pasur këngë edhe nga të gjitha vendet e tjera të procesit të zgjerimit.
Nuk është ende e qartë nëse interpretimi i kësaj melodie ka qenë një provokim i qëllimshëm ndaj Kosovës apo thjesht ndonjë gabim nga mosdija, apo nëse organizatori thjesht nuk sheh asnjë problem në interpretimin e kësaj kënge. Se si do ta arsyetojë këtë Komisioni Evropian, si organizator dhe financues i koncertit, do të mësojmë gjatë ditës së hënë. Vështirë të besohet se bendi që ka interpretuar instrumentalin e kësaj kënge nacionaliste serbe nuk e ka ditur se për çfarë kënge bëhet fjalë.
Sa i përket Kosovës, kjo ngjarje kryesore kushtuar zgjerimit, për të dytin vit me radhë, po kalon pa ftuar asnjë përfaqësues nga institucionet e Kosovës. Vitin e kaluar nuk ishte ftuar askush nga Kosova, madje as nga shoqëria civile. Por kjo ka mundur të interpretohej me faktin se ndaj Kosovës në atë kohë kishte sanksione.
Megjithatë, është e vështirë të dihet nëse është përsëri vetëm koincidencë që as këtë vit nuk është ftuar askush nga institucionet e Kosovës. Madje, vitin e kaluar një nga folësit kryesorë në konferencën në fjalë ishte kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, e njohur për fjalorin fyes ndaj fqinjëve të Serbisë dhe ndaj disa përfaqësuesve të institucioneve të BE-së.
Melodia nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, Terras: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras e ka kritikuar Bashkimin Evropian për muzikën e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës e cila u interpretua në Bruksel, në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim Marta Kos.
Ai ka thëne se ky është provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër.
Terras ka deklaruar Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos i detyrohen për shpjegim Kosovës.
“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim” ka shkruar ai në X.
Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe mbaron të hënën. Kosova nuk është e ftuar në këtë Forum.
Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse, është interpretuar ndër të tjera edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Sipas programit më 15 nëntor ishte paraparë të interpretonte orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”. KOHA ka siguruar videon e interpretimit të muzikës.
Në programin e ditës kryesore, më 16 nëntor, është paraparë të mbajnë fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos. Pritet të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.