Ministria e Kulturës është përcaktuar që restaurimin ta bëjë kompania që ka ofertuar për 735 mijë e 208 euro. Një është eliminuar dhe një tjetër ka ofertuar me çmim më të lartë. Por menjëherë kanë nisur ankesat që e kanë pezulluar aktivitetin e prokurimit Ministria e Kulturës kishte hapur tenderin me peshë financiare prej 800 mijë eurosh për restaurimin e këtij monumenti që i ka shpëtuar rrafshimit. Sipas projektit, ndërtesa që dikur shërbente si Shtëpi e Kulturës, do të shndërrohet në qendër kulturore me potencial për t’i kaluar kufijtë lokalë
Tri kompani ia kanë mësyrë që të marrin përsipër restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt. Ministria e Kulturës është përcaktuar për atë që ka ofertuar për 735 mijë e 208 euro. Një është eliminuar dhe një tjetër ka ofertuar me çmim më të lartë. Ministria e Kulturës kishte hapur tenderin me peshë financiare prej 800 mijë eurosh për restaurimin e këtij monumenti që i ka shpëtuar rrafshimit. Sipas projektit, ndërtesa që dikur shërbente si Shtëpi e Kulturës, do të shndërrohet në qendër kulturore me potencial për t’i kaluar kufijtë lokalë.
“Restaurimi i Shtëpisë së Kulturës në Runik – Faza e parë”, mban titullin thirrja e hapur nga Ministria e Kulturës. Kompania “N.N 100% Design” është përzgjedhur që për 735 mijë e 208 euro për të bërë restaurimin. Ka dalë të jetë oferta me çmimin më të ulët pasi janë kualifikuar veç dy kompani. Grupi i operatorëve ekonomikë “Toni dhe ATC COM” kanë ofertuar me 794 mijë e 396 euro dhe janë shpallur të pasuksesshëm, kurse “Rinesa dhe Froni” janë shpallur të papërgjegjshëm si grup operatorësh ekonomikë. Por shpejt është pezulluar aktiviteti i prokurimit, shkaku i ankesave.
Në mbështetje të Nenit 108/A Zgjidhja preliminare e mosmarrëveshjeve të Ligjit Nr. 04/L-042 për prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L- 237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-92 si dhe duke marrë parasysh Kërkesën për rishqyrtim nga Operatorët Ekonomikë në AK – MKT më datë 27.10.2026 lidhur me tenderin...”, shkruhet njoftimin që Ministria e ka bërë pas ankesës. Tenderi qe hapur në gushtin e sivjetmë.
Në mars të këtij viti projekti për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt qe miratuar përfundimisht. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte miratuar projektin e detajuar për ndërhyrje në këtë monument. Pas krejt telasheve dhe insistimit të Komunës së Skenderajt që ta bëjë rrafsh me tokë, pritet që monumenti t’i kthehet komunitetit lokal dhe përtej.
“Në muajin mars të këtij viti, projekti i detajuar është aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Pas këtij aprovimi, kemi qenë në pritje të miratimit të buxhetit nga Qeveria. Megjithatë, meqë nuk është aprovuar buxheti i plotë për projektin, procesi i pritjes ka zgjatur më shumë, deri në momentin kur është vendosur që projekti të ndahet në dy faza”, kishte thënë në gusht Lendita Idrizi, menaxhere e fondacionit “Hajde” që ka administruar me konkursin e projektit. Ajo ka thënë se si Fondacion, janë shumë të lumtur për hapjen e mundësisë së ofertimit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.
“Konsiderojmë se ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm, jo vetëm për qytetarët e Runikut, por edhe për të gjithë Kosovën. Natyrisht, entuziazmi i madh për këtë projekt na bën të dëshirojmë që përfundimi i tij të jetë sa më i shpejtë”, kishte thënë Idrizi. Fondacioni “Hajde” është themeluar nga artisti Petrit Halilaj, i cili tashmë është artisti shqiptar i artit bashkëkohor me më së shumti nam në botë.
Halilaj që ia ka dërguar muzeve më prestigjiozë në botë rrëfimet e Runikut, në mars kishte thënë se Shtëpisë së Kulturës po ia kthejnë perdet e kuqe.
“Perdet e kuqe të skenës së Shtëpisë së Kulturës, që dikur hapeshin për këngë, teatër, tregime dhe ëndrra. Sot jemi edhe një hap më afër që ato të hapen përsëri. Dhe bashkë me to, të tregojmë kush jemi ne dhe sa të mëdha janë ëndrrat tona”, kishte thënë Halilaj, i lindur në Runik.
Fondacioni “Hajde” kishte marrë përsipër që të zhvillojë procedurën e projektimit dhe rifunksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës. Projekti ideor i realizuar nga “Ars Atelie” është prezantuar në gushtin e vitit 2024.
Kishte qenë juria, në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, që e kishte vlerësuar si më të mirin projektin ideor të “Ars Atelie” e të dytin atë të “Dieform”. Kur u prezantua projekti fitues, juria ndër të tjera kishte vlerësuar se “propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit”.
Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7.000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Qe aktive deri në vitet ’90, kur objekti u mbyll. Gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj. Qe e harruar deri në vitin 2018, kur artisti me famë botërore, Petrit Halilaj, për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti u kujtua ta merrte në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Tash, pret një kapitull të ri: atë të ringjalljes si monument tok me kujtimet dhe potencialin në ditët e sotme.
Por në vitet e fundit monumenti qe përballur me dy agresione nga Komuna e Skenderajt.
Në majin e vitit 2025 mjetet e rënda të punës e kishin rrethuar Shtëpinë e Kulturës. Krejt afër këtij monumenti qe shtruar edhe një pllakë e betonit. Krejt kjo ishte bërë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, megjithëse Shtëpia e Kulturës tash e gati tetë vjet e gëzon statusin e monumentit. Bëhej fjalë për një projekt të Komunës së Skenderajt për një kompleks lokalesh dhe rregullimin e hapësirës publike në atë pjesë. KOHA menjëherë kishte raportuar për këtë rast dhe të nesërmen Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i kishte ndalur punimet.
Paraprakisht në korrikun e vitit 2023, Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia kishte arritur. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, do të nënshkruanin marrëveshje për bashkëfinancim të projektit. Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e 2023-tës. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës. Sipas Memorandumit të atëhershëm ndërinstitucional, shuma që do të investohet shkon në 850 mijë euro.