Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të mos ketë licencë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Dhe me shumë mundësi nuk do të ketë të paktën deri në fund të këtij muaji.
Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kërkuar nga FFK-ja të bëjë korrigjime e plotësime në Statutin e saj. Ndryshimet në Statut mund të bëhen vetëm në Kuvend dhe kjo kërkon kohë.
Të premten Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka caktuar 27 janarin si datë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Në atë Kuvend pritet të bëhen korrigjimet dhe plotësimet në Statutin e federatës më të madhe në vend. Vetëm më pas mund të shpresohet në licencim nga MKRS-ja.
“Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi dhe miratoi draft-Statutin e FFK-së për të cilin ka punuar Komisioni i FFK-së së bashku me ekspertët e UEFA-s e që është një Statut shumë i avancuar në përputhje të plotë me atë të UEFA-s dhe me specifikat e FFK-së dhe të kohës. Për miratimin e këtij Statuti, KE caktoi për datën 27 janar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, me vetëm një pikë të rendit të ditës: Miratimi i Statutit të Ri dhe Akteve tjera të nevojshme”, ka njoftuar FFK-ja të premten.
Aktualisht në Statutin e FFK-së janë disa nene që nuk janë në harmoni me ligjet e Kosovës. Dhe për këtë Komisioni i MKRS-së ka kërkuar korrigjimin e tyre.
Korrigjimet në Statut nuk janë kërkesat e vetme për licencimin e FFK-së. Ka edhe kërkesa tjera që Komisioni ia ka bërë Federatës së Futbollit.
Ka pasur përplasje e akuza mes FFK-së dhe Komisionit. Por federata më e madhe në vend vazhdon të jetë pa licencë, ndërsa kjo ua pamundëson klubeve që të marrin vërtetimin e nevojshëm për sponsorizim.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e mbajtur të premten ka diskutuar dhe ka vendosur edhe për çështje të tjera. Ky organ ka konstatuar se përgatitjet për stinorin pranveror janë “sipas dinamikës së paraparë”.
I pakënaqur me rezultatet e vitit të kaluar, KE ka vendosur mos të vazhdojë bashkëpunimin me katër përzgjedhës dhe ndihmësit e tyre: Ramiz Krasniqin e Kosovës U19, Arsim Abazin e Kosovës U17, Kushtrim Munishin e Kosovës U19 (vajzat) dhe Arben Simitçiun e përfaqësueses së futsallit.
Është vendosur që ndeshja e Superkupës së Kosovës në mes të Ballkanit dhe Llapit të luhet në Antalia të Turqisë më 21 janar. Është hera e dytë që ndeshja e Superkupës organizohet në qytetin bregdetar turk, ku skuadrat kosovare zakonisht përgatiten në janar.
Komiteti Ekzekutiv po ashtu ka vlerësuar se Kosova A ka gjasa të mira të kualifikohet në “Euro 2024”.
“KE shqyrtoi përgatitjet e kombëtareve, si Kombëtares A meshkujt dhe Kombëtareve A dhe U17 e U19 të femrave për garat ndërkombëtare, ndaj kërkoi nga të gjithë për një mobilizim të jashtëzakonshëm, sepse është një momentum i mirë që Kosova të kualifikohet në Evropianët e ardhshëm”, shkruan në njoftim.