Sport

Klubet e pakënaqura me Ademin u drejtohen MKRS-së dhe KOK-ut

klubet, futboll, sporti, koha, 13 prill

Klubet e pakënaqura me punën e kryetarit të rizgjedhur të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, dhe Komitetit Ekzekutiv (KE) u janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) me kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në bazë të kompetencave nga Ligji i Sportit. Përfaqësuesit e klubeve opozitare nuk morën pjesë në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, në të cilin Agim Ademi u rizgjodh kryetar, si kandidat i vetëm. Ishin 15 delegatë të klubeve të ndryshme që nuk morën pjesë në Kuvendin zgjedhor dhe të punës të FFK-së, të mbajtur më 6 prill. Nënshkrimet e tyre në mbështetje të Gramoz Vokrrit për kryetar nuk u pranuan e as s’u certifikuan. Sipas grupit opozitar, FFK-ja nuk e ka respektuar opinionin ligjor të Departamentit Ligjor të MKRS-së.

Në opinionin e Departamentit Ligjor të MKRS-së është thënë se FFK-ja ka shkelur Statutin e saj dhe Ligjin për Sport me thirrjen e Kuvendit më 6 prill. KOHA ka siguruar letrën dërguar nga klubet e pakënaqura në adresë të ministrit Hajrulla Çeku dhe sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi, si dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Image

“Ne e kemi respektuar opinionin ligjor dhe kemi pritur që edhe organet udhëheqëse të FFK-së se do ta respektojnë opinionin ligjor të lëshuar nga MKRS-ja, zyra ligjore, ku ceken shkelje të Statutit të FFK-së, Ligjit të sportit dhe udhëzimit administrativ të MKRS-së. Pra, ky kuvend ka shkelje të procedurave nga vetë krerët e FK-së me të vetmin qëllim, arritjen dhe marrjen e udhëheqjes së këtij institucioni në mënyrë jodemokratike”, thuhet në letrën e protokolluar nga MKRS-ja dhe KOK-u.

Klubet e pakënaqura presin reagim nga MKRS-ja dhe KOK-u. Të dyja institucionet janë monitoruese të kuvendeve zgjedhore dhe të punës së FFK-së.

“Me këtë kërkesë ju drejtohemi juve si institucion që të shfrytëzoni autoritetin tuaj konform Ligjit të sportit dhe udhëzimeve administrative në atë mënyrë që të kthehet ligjshmëria dhe të merren masat adekuate kundër çdo individi që me veprimet e veta krijoi këtë situatë kaotike dhe krijoi shumë mllefe, ndarje dhe konflikte në mes të vetë klubeve dhe përfaqësuesve të tyre. Shpresoj që do të hasim në mirëkuptimin tuaj, dhe konform kompetencave ligjore do t’i ndërmerrni hapat e shpejtë dhe të nevojshëm juridikë. Ne e respektojmë çdo vendim të institucioneve të vendit tonë, pra ne vepruam konform opinionit ligjor të vetë MKRS-së, tani kërkojmë hapat konkretë nga ana juaj”, shkruan në letrën e dorëzuar në emër të përfaqësuesve të klubeve të pakënaqura.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) publikoi ditë më parë dy vendime të gjykatës. Sipas interpretimit të FFK-së, ato legjitimojnë Kuvendin Zgjedhor të caktuar më 6 prill, pra për të mërkurën e shkuar. Por, sipas grupit opozitar, FFK-ja nuk ka publikuar arsyetimin dhe se, sipas tyre, kjo nuk paragjykon vendimin final, por vetëm masa është refuzuar. Avokati i Gramoz Vokrrit, Arbër Krasniqi, pati dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër FFK-së për ndalimin e kandidimit të Gramoz Vokrrit për kryetar të Federatës. Ai ka kërkuar pezullimin e vendimit për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të FFK-së. Por FFK-ja e shpalli si fitore të saj me publikimin e dy vendimeve nga Gjykata Themelore.