Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka kërkuar Agim Ademit që me efekt të menjëhershëm ta pezullojë postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Në letrën prej tetë faqesh të Komisionit të MKRS-së të siguruar nga KOHA, shkruan se, nëse Ademi refuzon ta bëjë një gjë të tillë, kërkohet që të parin e FFK-së ta pezullojë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. KVLFS-ja vlerëson se Ademi që prej qershorit të vitit 2019 ushtron detyrën e kryetarit të FFK-së në kundërshtim dhe në shkelje të akteve normative ndërkombëtare të FIFA-s.

Komisioni pranon se Ademi e ka dërguar certifikatën nga gjykata, por mungon përshkrimi nëse ndaj këtij personi është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale apo jo.
“Pas korrespondencës përkatëse në relacion ndërmjet KVLFS-së dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë është siguruar informacioni në rrugë zyrtare, përmes të cilit dëshmohet se ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore për vepër penale”, shkruan në letrën e Komisionit të MKRS-së.
Ademi është duke u gjykuar për një rast që nuk lidhet me futbollin. Rigjykimi ndaj Ademit ka dështuar të nisë. Aktakuza ndaj Ademit dhe Muharrem Ramës ishte ngritur më 14 janar 2014. Tutje në letrën e Komisionit të MKRS-së thuhet se secili person që ushtron veprimtari menaxhuese në kuadër të FFK-së, i cili është nën ndjekje penale për veprime të padenja për pozitën që mban, Kodi Disiplinor i FIFA-s ia ndalon marrjen me veprimtari të tilla nëse janë në menaxhimin e klubeve të futbollit dhe në menaxhimin e Federatës së Futbollit.







“Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive kërkon nga z. Agim Ademi që me efekt të menjëhershëm dhe përmes shkresës zyrtare ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e kryetarit të FFK-së deri në përfundimin e procedurës gjyqësore. Në rast se një gjë e tillë refuzohet nga z. Ademi, KVLFS-ja kërkon nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që me vendim zyrtar ta pezullojë z. Agim Ademin nga detyra e kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore për vepër penale, dhe për këtë ta njoftojë me shkrim KVLFS-në në afatin më të shkurtër kohor”, shkruan në letrën e Komisionit të MKRS-së.
Po ashtu, Komisioni vlerëson se Ademi ka shkelur deklaratën e tij nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale.
“KVLFS konstaton se z. Agim Ademi e ka shkelur edhe deklaratën nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale, dhe në këtë mënyrë është përpjekur që ta vërë në lajthitje Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, veprim ky i dënueshëm në aspektin etik e profesional, por edhe i dënueshëm në aspektin ligjor”, shkruan tutje letra e KVFL-së.
Po ashtu bëhet e ditur se dokumentacionit i mungojnë edhe dy anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Po ashtu, Komisioni i MKRS-së ia bën me dije FFK-së se nuk e ka dorëzuar ende kontratën e punës ndërmjet FFK-së dhe sekretarit të përgjithshëm. Detyrën e sekretarit po e kryen Taulant Hodaj, e që sipas Komisionit kontrata nuk është dorëzuar ende. Komisioni shkruan se nuk është përfshirë në Statut edhe luftimi i dopingut në futboll, mënjanimi i konfliktit të interesit. I është bërë me dije se i mungojnë edhe një numër i dokumenteve. Komisioni ia ka ripërsëritur se do të procedojë me padi, nëse nuk dërgon argumente të FFK-së për shpifjet se Komisioni ua ka dërguar komentet të gjitha mediave. Federata e Futbollit e Kosovës nuk po mund të pajiset me licencë nga MKRS-ja. Për pajisje me licencë i duhet të bëjë ndryshime në Statut dhe për këtë arsye është thirrur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Punës të premten. Draftstatuti i FFK-së vlerësohet nga Drita, Prishtina dhe Trepça ’89 me shumë shkelje.