Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka dalë sërish punë me organet e rendit. Pak ditë pasi u lirua nga akuzat për një rast të shumë vjetëve më parë, Agim Ademi duhet të paraqitet në Polici. Këtë e ka bërë të ditur Policia të martën mbrëma.
Në fakt, në media të ndryshme ka pasur raportime se ndaj Ademit është lëshuar urdhërarrest. Por kjo është mohuar nga Policia përmes një komunikate zyrtare. Policia e Kosovës gjithashtu ka konfirmuar se Ademi do të intervistohet të mërkurën.
Në njoftimin e Policisë nuk është bërë e ditur se pse do të intervistohet Agim Ademi. Por në prill të vitit të kaluar kishte nisur një hetim pas dyshimeve për evazion fiskal, shmangie të detyrimeve tatimore dhe keqpërdorim të fondeve të FFK-së. Madje zyrtarë të rendit kishin vizituar edhe Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të hetuar pas dyshimeve që kishin të bënin me FFK-në.
Intervistimi i zyrtarëve të FFK-së në fakt ka nisur të martën. Policia nuk ka njoftuar se cili zyrtar është intervistuar, por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarin e financave të FFK-së, Agim Gashi.
“Policia e Kosovës sot në orët e pasdites ka intervistuar në stacion policor një zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar. Ndërsa raportimi në media për kinse arrestimin e kreut të FFK-së nuk qëndron dhe se nuk ka ndonjë urdhër arrest siç raportohet, por të njëjtit i është lënë një ftesë për t’u paraqitur në polici për intervistim gjatë ditës së nesërme. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të lëshuar të martën.
Ftesa për intervistimin e Ademit në Polici ka ardhur në momentin që Përfaqësuesja e Kosovës po bëhet gati për të nisur kualifikimet për Euro 2024. Të shtunën Përfaqësuesja e futbollit luan në Izrael.
FFK-ja të martën paradite njoftoi që Ademi ka vizuar futbollistët e Kosovës në ditën e parë të grumbullimit, të hënën. Ademi është parë edhe në stërvitjen e Përfaqësueses të mbajtur të martën paradite në Hajvali.
“Kjo është një mundësi për ta bërë krenar vendin dhe popullin tonë. Le të bëjmë që emri Kosovë të dëgjohet në festivalin e futbollit evropian dhe çdo bashkatdhetar kudo që jeton të ndjehet krenar për ekipin tonë kombëtar”, ka shkruar Agim Ademi për vizitën që ua ka bërë futbollistëve të Kosovës.
Të mërkurën, Ademin e pret një vizitë më pak e këndshme.