Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur për lirimin e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nga masa e arrestit shtëpiak.
Sipas njoftimit, Themelorja ia ka hequr masën e arrestit shtëpiak.
Kreut të FFK-së, më 23 mars, i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.
KOHA ka kërkuar sqarime shtesë, pasi njoftimi i gjykatës ishte kundërthënës. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, është përgjigjur shkurtimisht se ndaj Ademit nuk ka më “asnjë masë” të sigurisë për praninë e tij në procedurë dhe se nuk obligohet as për paraqitje në stacion policor.
Ademi është në procedurë paraprake, pasi po hetohet veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka ngritur aktakuzë për këtë rast.
Edhe
Pa asnjë votë kundër, Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së
Më 15 mars të këtij viti, Ademi është liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një rast që nuk lidhej me futbollin, ku akuzohej për “ushtrim ndikimi” për veprën penale detyrim.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të KPRK-se, ka vendosur sipas kërkesës së mbrojtjes së të pandehurit, për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe pas marrjes së përgjigjes nga Prokurori i Shtetit me datën 14.04.2023, mori Aktvendim me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe i ndërpritet masa e Arrestit Shtëpiak. I pandehuri A.A lirohet menjëherë nga kjo masë”, thuhet në njoftimin e Themelores.