Zgjedhjet për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahen më 6 prill. Kështu është vendosur të mërkurën nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Kandidati për kryetar të FFK-së, Arianit Ahmeti, ka thënë se me thirrjen e Kuvendit për 6 prill është shkelur Statuti i FFK-së, përkatësisht neni 39, pika 3.
Kjo sipas FFK-së nuk është e vërtetë. Agim Ademi udhëheq FFK-në që nga vera e vitit 2018 dhe do ta kërkojë edhe një mandat.
Ademi ishte zgjedhur kryetar i FFK-së më 6 korrik 2018, pas vdekjes së Fadil Vokrrit. Ai po e kompleton një mandat, ndonëse disa delegatë kanë pretenduar se Ademi vetëm është dashur ta vazhdojë mandatin e mbetur në gjysmë pas vdekjes së Vokrrit. Kryetari Ademi nuk u është përgjigjur telefonatave të KOHËS të mërkurën, ndërsa Arianit Ahmeti thotë se po veprohet njëjtë si para dy vjetësh.
“Sërish vazhdojnë me avazin e vjetër, me shkelje të rëndë të statutit, përkatësisht nenit 39, pika 3. Nuk e di pse kjo nguti në orët e vona nëpër kafenetë e Prizrenit. Nuk e di pse këto shkelje. Sot është data 2 mars, kurse në nenin 39, pika 3 të Statutit thuhet se së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt mund të propozohen kandidatët. Kjo i bie se zgjedhjet duhet të mbahen më 6 maj. Jo më herët se 6 maji. Prandaj këto zgjedhje nuk mund të jenë të rregullta”, ka thënë Ahmeti të mërkurën për KOHËN.
Në nenin 39, pika 3 të Statutit të FFK-së, ku bazohet Ahmeti, thuhet se “vetëm anëtarët e FFK-së mund të propozojnë kandidatin për kryetar të FFK-së. Propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15 nënshkrime të delegatëve legjitimë të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Po ashtu duhet të parashtrohet programi i punës. Sekretariati i përgjithshëm duhet që t’i notifikojë kandidatët për kryetar të FFK-së, së paku një muaj para mbajtjes së Kuvendit”.
Pra, ky nen parasheh që kandidaturat duhet të bëhen dy muaj para Kuvendit.
Arianit Ahmeti insiston se vetëm kuvendi i jashtëzakonshëm thirret për 30 ditë.
“Në start është shkelur Statuti, akti juridik më i lartë. E kur ai shkelet, çka pritet? Është e njëjta situatë për të cilën e kam ngritur zërin qysh në vitin 2019. Këtë nen e kanë shkelur duke iu referuar një neni tjetër, i cili i referohet kuvendit të jashtëzakonshëm. Ai kuvend i jashtëzakonshëm thirret për 30 ditë. Por, në kuvend të jashtëzakonshëm merret vetëm mandati i vazhduar nëse është fjala për zgjedhje, ndërsa zgjedhjet e rregullta i rregullon neni 39, pika 3”, ka theksuar Ahmeti.
Mandati i kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi, përfundon më 6 korrik.
Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, pretendon se ka përkrahjen e FIFA-s për të kërkuar mandat të ri.
“Presidenti Agim Ademi ka takuar sot në Tiranë përfaqësueset për çështje ligjore të FIFA-së, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia. Gjatë këtij takimi u bisedua për situatën aktuale në futboll para Kongresit të FIFA-s, që mbahet në Doha prej 29 deri më 31 mars, si dhe për zgjedhjet për president në FFK. Në këtë takim presidenti Ademi mori bekimin e përfaqësuesve të FIFA-s për kandidimin e tij, teksa theksoi edhe një herë falënderimin e tij ndaj FIFA-s për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë futbollit kosovar, si dhe u shpreh i lumtur që një delegacion i FIFA-s do të jetë për monitorimin e procesit zgjedhor në FFK”, thuhet në njoftimin e FFK-së të lëshuar të mërkurën, pak orë pasi njoftoi për mbajtjen e kuvendit zgjedhor.
Në një njoftim tjetër të FFK-së bëhet e ditur se Ademi ka pasur një takim në Tiranë me zv.drejtorin e Federatave kombëtare të UEFA-së dhe njëherësh shefin për projektet dhe organizimin e federatave, Thiery Favre, dhe ekspertin për çështje ligjore dhe statutare të UEFA-s, Yan Hafner. Siç thuhet në njoftimin e FFK-së, “presidenti Ademi i njoftoi ata për situatën aktuale dhe procesin e zgjedhjeve në FFK, teksa mori pëlqimin e tyre për kohën e datës së zgjedhjeve dhe rikandidimin e tij për president të FFK-së”.
Në mbrëmje FFK-ja ka lëshuar edhe një komunikatë tjetër ku mohon të ketë shkelur Statutin.
“Për sqarim të opinionit dhe mediave ju informojmë se statuti i FFK-së është publik dhe të gjithë mund të kenë qasje në të, të lexojnë e shohin se si parashihet thirrja e Kuvendit dhe koha e caktuar për mbajtjen e kuvendit. Ju informojmë se në bazë të nenit 28. 1 dhe 28.2 konvokimi i Kuvendit të FFK-së bëhet me vendim të KE-së, delegatët i informon sekretari i përgjithshëm së paku 30 ditë para mbajtjes së mbledhjes. Pra kuvendi i thirrur sot është konform Statutit të FFK-së dhe Rregullores së Punës, sepse data e caktuar është më shumë se 30 ditë që parashohin Statuti dhe Rregullorja. Po ashtu, neni 10.2 i Rregullores së Punës së Kuvendit të FFK-së parasheh të njëjtën gjë, 30 ditë është afati më i afërt kur mund të caktohet Kuvendi i rregullt. Të apostrofuarit në media me qëllim që të dezinformojnë publikun se kinse afati 30-ditor është vetëm për kuvend të jashtëzakonshëm, por kjo nuk qëndron. Po ashtu, thirrja e tyre në afatin 2-mujor nuk ka të bëjë me thirrjen e Kuvendit, por me afatin kur mund të propozohen kandidatët për kryetar konform nenit 39.3 të Statutit të FFK-së”, shkruan në komunikatë.
Arianit Ahmeti pret që të ketë reagim nga Departamenti i Sportit, që është organ mbikëqyrës i federatave.
“Departamenti i Sportit i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbikëqyrës i federatave dhe nuk besoj se do t’i lejojë”, është shprehur Ahmeti. Ahmeti pretendon se duhet të merren edhe organet e drejtësisë, duke iu referuar Ligjit për Sport – nenit 30.
Në pikën 30.4 të Ligjit për Sport thuhet se “po qe se vendimet e federatave të sportit janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe me këtë ligj, atëherë organet përfaqësuese dhe personat përgjegjës dalin para organeve kompetente të drejtësisë, të cilat mund ta anulojnë zbatimin e vendimeve dhe të marrin masa përkatëse ndaj personave udhëheqës”.
Ahmeti ka premtuar garë të fortë.
“Do të organizohemi dhe pse jo të jemi një opozitë e bashkuar, e fuqishme dhe t’i japim goditje këtij sistemi që po punon për interesa të veta. Është koha e fundit të bashkohemi. Pres të ketë reagim. U garantoj se zgjedhjet nuk do të mbahen, jam më se i bindur se kandidat nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë, pasi ky njeri nuk mund ta marrë një letër të thjeshtë që nuk është nën hetime”, ka thënë Ahmeti.