Sport

Ahmeti shpall kandidaturën për kryetar, akuzon Ademin për uzurpim të FFK-së

Arianit Ahmeti e ka bërë publike kandidaturën për postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Kandidaturën e ka shpallur nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ish-zyrtari i Federatës së Futbollit, për KOHËN ka treguar arsyet që e kanë shtyrë të kandidojë për ta drejtuar shtëpinë e futbollit kosovar. Ahmeti ka thënë se kryetari aktual, Agim Ademi, e ka uzurpuar FFK-në.

Ademi nuk u është përgjigjur akuzave të Arianit Ahmetit. KOHA ka dërguar të hënën pyetje në adresë të FFK-së, por nuk ka marrë përgjigje. Në fakt, Agim Ademi nuk u është përgjigjur as akuzave të ish-selektores së Kosovës, Afërdita Fazlija, e as atyre të kryetarit të klubit Prishtina, Remzi Ejupi.

Arianit Ahmeti thotë se e ka mbështetjen e më shumë se 15 klubeve, që është e nevojshme për të qenë kandidat për të parin e FFK-së. Ai më herët ka mbajtur pozitën e zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.

“Më ka shtyrë të hyjë në këtë garë degradimi që është bërë në FFK e që e kam paralajmëruar që në vitin 2019 se do të ndodhë. Nga ai moment ka filluar degradimi, linçimi, largimi i njerëzve. Zgjedhjet presim të shpallen nga Federata. Jemi duke parë se si punon udhëheqësia aktuale e Federatës. Ka tri javë që drejtuesit aktual kanë nisur me presion te delegatët dhe klubet e ndryshme, duke joshur me mjete për të marrë disa nënshkrime, në mënyrë që të bllokohet procesi. Pra, të mos ketë kundërkanidat të udhëheqësit aktual. Por unë kam mbështetjen e klubeve dhe zyrtarisht mund të them që edhe sot nëse shpallet data e mbajtjes së zgjedhjeve do të jem kandidat”, ka thënë Arianit Ahmeti për KOHËN.

Ahmeti ka vazhduar tutje për të parin e FFK-së, Agim Ademin.

“Ai e ka uzurpuar në mënyrë të jashtëligjshme këtë federatë nga viti 2020. I ka shfrytëzuar këto dy vjet. Ai nuk mund ta sigurojë vetëm një letër bazike, të sigurojë që nuk është nën hetime. Atëherë çka pret nga ai njeri i cili ka akuza, ka rigjykime për vepra të ndryshme penale nga më të dëmshmet. Që paradite shfaqet në gjykata dhe në mbrëmje në stadiume, ose të kundërtën, nuk shfaqet në gjykata dhe fshehurazi shfaqet në stadiume të ndeshjeve të Kosovës”.

Ahmeti nuk i ka treguar emrat e klubeve, që, siç thotë ai, po e mbështesin.

“Është kohë e linçimeve dhe hakmarrjeje nga kasta e Federatës, e cila është shndërruar në një diktaturë të pastër. Nuk kisha pasur dëshirë të zbuloj emrat e klubeve mbështetëse. Mirëpo, nëse ky zotëria (Agim Ademi v.j.) mendon që në këtë formë t’i fitojë zgjedhjet, ai do të ketë kundërkandidat. Mandati i tij ka degraduar qysh para dy vjetësh. Ai qe dy vjet është pa mandat dhe duhet të kthehet ligjshmëria, të kthehen njerëzit profesionistë me vizion dhe strategji që ta çojmë para këtë federatë”, është shprehur Ahmeti.

Ish-zyrtari i FFK-së pret që zgjedhjet të mbahen në muajin korrik. Por insiston se zgjedhjet për kryetar është dashur të mbaheshin në vitin 2020, kur, sipas Ahmetit, edhe i ka skaduar mandati kryetarit Agim Ademi.

“Në vitin 2020 e kam treguar programin tim të bazuar, të cilin do ta shfaqi në forma të ndryshme. Është një program në bazë të përvojës sime. Është i bazuar në gjëra reale dhe kryesisht është për të rinjtë. Së pari duhet të vendoset themeli e pastaj të fillojmë ndërtimin e shtëpisë. Këtë zotëri nuk e shoh kundërkandidat, shoh kandidatë të tjerë të cilët janë të mirëseardhur në atë mënyrë që ne t’i shpalosim programet tona, vizionet dhe ai që bind më shumë ta fitojë postin e kryetarit. Ai ka punuar pa strategji. Nuk ka pasur asnjëherë buxhet të miratuar. Fare nuk e shoh për konkurrent”, ka thënë Ahmeti.

Agim Ademi në krye të FFK-së është që prej 6 korrikut të vitit 2018. Ai u zgjodh kryetar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, pas vdekjes së Fadil Vokrrit.

Por Ahmeti thotë se është instaluar diktaturë në këta dy vjetët e fundit.

“Pakënaqësia e klubeve ka të bëjë me atë që çdo gjë varet nga një njeri diktator, që vendos për gjithçka. Ai vendos për aktivizimin i një dokumenti të thjeshtë në arkivin e FFK-së. Merret me delegim të referëve, me rrjedhën e lojërave, stemat e referëve, kush do të shkojë në FIFA e kush jo. Kjo është pakënaqësia më e madhe e tyre dhe kryesorja, mostransparenca për të gjitha mjetet që iu kanë takuar klubeve”, ka thënë Ahmeti.

Ditë më parë edhe kryetari i klubit Prishtina, Remzi Ejupi, ka thënë se është i gatshëm të hyjë në garë për kryetar të FFK-së.

Ahmeti para dy vjetësh kishte shprehur pretendime për të marrë drejtimin e FFK-së. Federata fillimisht e kishte shkarkuar e më pas edhe e kishte përjashtuar nga organizata Ahmetin. Ka pasur shumë zhvillime pas atyre vendimeve, por Ahmeti nuk është kthyer më në FFK.