Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka kërkuar Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) shkarkimin e Eroll Salihut nga posti i kryetarit të Komisionit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës (KAS). KOK-u të premten ka njoftuar se Bordi e ka diskutuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Por, nuk ka njoftuar për arsyen e kërkesës. Megjithatë, KOHA të premten ka mësuar se FFK-ja ka kërkuar nga Bordi i KOK-ut ta shkarkojë ish-sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu, nga posti i udhëheqësit të Bordit të KAS-it. Në fakt, Bordi i KOK-ut nuk ka kompetencë për shkarkimin e Salihut apo ndonjë anëtari tjetër të Bordit të KAS-it.
Salihu është kryetar i KAS-it dhe ka konfirmuar se FFK-ja ka bërë kërkesë për shkarkimin e tij. Por, ai thotë se kërkesa e FFK-së nuk është shqyrtuar nga Bordi i KOK-ut. Insiston se kërkesa e FFK-së është bërë për inate personale. Ka thënë se kjo kërkesë ka ardhur për shkak se KAS-i ka marrë vendim në favor të një klubi të futbollit - Dinamo nga Ferizaj, i cili është ankuar se FFK-ja i ka bërë padrejtësi pasi nuk ka respektuar rregulloret e saj të garave. Po ashtu, ka shtuar se KAS-i po shqyrton edhe ankesën e Prishtinës në lidhje me vendimin e FFK-së që mos ta licencojë ekipin nga kryeqyteti të paraqitet këtë edicion për garat evropiane. Prishtina edicionin e shkuar e fitoi Kupën e Kosovës.
“Kërkesa e FFK-së nuk e ka bërë kërkesën për shkarkim vetëm për mua, por edhe të tjerëve. Nuk ka drejtë, i është refuzuar menjëherë. Kërkesa lidhet me vendimin që kemi marrë në favor të një klubi, pastaj lidhet edhe rasti i Prishtinës. Atij (Agim Ademit v.j.) nuk i konvenon. Ka mendim se ndikoj unë në vendime. Ai nuk ndalet, pasi e di që vetë është në procedurë gjyqësore. Lajmërohet çdo ditë në polici me kaucion, plus të mos flas për dënime të tjera. Ai është mësuar se aty ku nuk i pëlqen të ndikojë dhe e di se tek ne nuk mund të ndikojë. Ai e di po ashtu se nuk është kompetencë e Bordit dhe as që është shqyrtuar. Asambleja e ka drejtën e shkarkimit apo emërimit”, ka thënë Salihu për KOHËN.
Në fakt, ka pasur përplasje e akuza në mes të ish-sekretarit të FFK-së, Eroll Salihu, dhe kryetarit aktual të këtij institucioni, Agim Ademi. Salihu u largua nga FFK-ja, ndërsa nuk i ka kursyer akuzat nga më të ndryshmet për Ademin. KOHA të premten i është drejtuar me pyetje edhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e po ashtu edhe presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi, por deri në publikimin e shkrimit nuk ka marrë përgjigje.
KAS-i ditë më parë ka vendosur që Dinamo të garojë në Ligën e Parë grupi B, duke theksuar se FFK-ja ka bërë shkelje të kriterit territorial. Dinamo ishte ankuar në mënyrën si ishte bërë shorti për grupet në Ligën e Parë, meqenëse asnjë zyrtar i klubit nuk kishte qenë i pranishëm dhe në fund rezultuan se ishin në grupin A. Dinamo u ankua fillimisht në FFK, por nuk mori përgjigje. Çështjen e dërgoi në KAS, me pretendimet se duhet të garojnë në grupin B, aty ku do t’i zhvillojë ndeshjet edhe rivali lokal, Ferizaj. Ankesën e tyre KAS-i e ka marrë si plotësisht të bazuar, andaj ka obliguar FFK-në që menjëherë ta dërgojë Dinamon në grupin B. KAS-i është duke shqyrtuar edhe ankesën e Prishtinës për vendimin që FFK-ja e mori para se klubet të paraqiteshin në garat evropiane të edicionit aktual. FFK-ja nuk e licencoi Prishtinën. Për ankesën e Prishtinës ende nuk është marrë vendim.