Viktoria Plzeni ka në dispozicion vetëm një sulmues për ndeshjen kundër Ballkanit, të cilën e zhvillon në kuadër të Ligës së Konferencës.
Jan Kliment është sulmuesi, në të cilin Plzeni do të mbështetet ndaj Ballkanit, ndeshje kjo që zhvillohet të enjten prej orës 18:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Prej pesë sulmuesve në ekip, dy janë të lënduar ndërsa një tjetër i suspenduar për duelin që i takon Grupit C të Ligës së Konferencës.
Mungesa e sulmuesve ka bërë që Plzeni ta përfshijë në ekip për Ballkanin edhe lojtarin e skuadrës së dytë, Pavel Hasek.
“Prej pesë sulmuesve, do ta kemi në dispozicion vetëm Jan Klimentin dhe ai do të jetë lojtari ynë kryesor përpara, në të cilën do të mbështetemi ndaj Ballkanit”, ka thënë ndihmëstrajneri i Plzenit, Jan Trousil.
Kliment 30-vjeçar këtë edicion ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 3 asistime në 21 paraqitje për Plzenin në të gjitha garat, ndërsa në Ligën e Konferencës ka vetëm 36 minuta lojë në total.
Plzeni tashmë ka siguruar kalimin nga Grupi C, në të cilin ka tubuar 12 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.
Ballkani është i treti në grup me 4 pikë, sa i ka edhe Astana që renditet e dyta.
Ndërkohë, Dinamo e Zagrebit zë vendin e fundit me tri pikë të mbledhura.