Viktoria Plzeni është në një seri prej 10 fitoreve rresht, në të cilën po bazohet para përballjes me Ballkanin. E këtë formë të mirë, Plzeni po shpreson ta vazhdojë edhe në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në kuadër të Ligës së Konferencës.
Duelin e parë, Plzeni e luan kundër Ballkanit, që zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Doosan Arena” dhe i takon Grupit C. Kapiteni i Plzenit, Lukas Hejda, beson në fitoren e tij ndaj kampionit të Kosovës, i cili po paraqitet për edicionin e dytë rresht në grupet e Ligës së Konferencës. Për Plzenin, kjo është hera e parë që luan në nivelin e tretë të garave të UEFA-s, pasi kryesisht është paraqitur në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, por kjo nuk do të thotë se ekipi çek nuk ka synime të mëdha edhe në Ligën e Konferencës. Edicionin e shkuar, Plzeni u paraqit në grupet e Championsit, ku luajti kundër Barcelonës, Interit dhe Bayern Munichut.
“Jemi në një seri të suksesshme prej dhjetë fitoreve rresht dhe sigurisht se kjo na motivon shumë para ndeshjes me Ballkanin. Kështu që, përfundimisht duam ta vazhdojmë këtë seri edhe më tej dhe futemi për ta fituar ndeshjen. Jemi të motivuar dhe besoj se do të vazhdojmë me paraqitje të mira”, është shprehur Hejda të mërkurën në konferencën për shtyp.
Megjithatë, Hejda ka pranuar se Plzeni nuk do ta ketë aspak të lehtë kundër Ballkanit. Ai ka vlerësuar ekipin kosovar, por ka shtuar se synimi i Plzenit është të avancojë përtej fazës së grupeve dhe për këtë arsye synon t’i fitojë të gjitha ndeshjet, duke filluar nga përballja e parë.
“Ballkani është kundërshtar i fortë dhe një ekip që aplikon lojë ofensive, ku në sulm ka lojtarë shumë të lëvizshëm. Kështu që, pres ata ta mbajnë topin dhe të na rrezikojnë. Por, ne luajmë në shtëpi dhe duam ta diktojmë tempin e lojës. Besoj se edhe përkrahja e tifozëve do të na ndihmojë për fitoren e parë”, është shprehur Hejda. “Kemi gjasa për ta kaluar grupin dhe sigurisht që ky është synimi ynë. Megjithatë, nuk do të jetë lehtë për shkak se të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Na presin ndeshje të vështira, duke filluar nga kjo me Ballkanin”.
Para Ballkanit, Plzeni këtë edicion në garat evropiane është përballur edhe me një ekip tjetër nga Kosova. Ka luajtur kundër Dritës, të cilën e ka eliminuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës me rezultatin e përgjithshëm 2:1. E duelet me Dritën, trajneri Miroslav Koubek ka pranuar se e kanë ndihmuar të përgatitet për Ballkanin. Sipas tij, të dy ekipet kosovare nuk kanë dallime me njëra-tjetrën, ndonëse ka shtuar se Ballkani është skuadër më sulmuese dhe për këtë ka paralajmëruar futbollistët e tij.
“Bazuar në edicionin e shkuar, Drita dhe Ballkani nuk kanë pasur dallime të mëdha mes vete dhe pak a shumë e kemi parasysh se çka na pret. Po ashtu, kemi shikuar edhe video të Ballkanit për t’u përgatitur sa më mirë, pasi është një ekip që ka një mendje sulmuese, kombinime më të forta dhe posedim të topit”, është shprehur Koubek.
Edhe
Plzeni ka siguruar kualifikimin, por udhëtoi për fitore në Tiranë
Përkundër synimit për fitore, trajneri i Plzenit në asnjë mënyrë nuk ka pranuar se ekipi i tij është favorit përballë Ballkanit. Ai ka thënë se e ka parasysh që luajnë në shtëpi dhe kanë përkrahjen e tifozëve, por ka insistuar se kampioni i Kosovës në asnjë mënyrë nuk bën të nënçmohet.
“Nuk më pëlqen aspak roli i favoritit në këtë ndeshje. Përballë kemi një kundërshtar shumë të mirë dhe nuk korrespondon me realitetin që ne të vlerësohemi favorit. Në fakt, jam i befasuar që po na shohin në këtë mënyrë. E kuptoj që luajmë në shtëpi, kemi treguar paraqitje të mira, por kundërshtarin e respektoj shumë. Ka lojtarë të mirë dhe të shpejtë dhe nuk do të jetë lehtë. Megjithatë, sigurisht se do të bëjmë të pamundurën që ta fitojmë këtë ndeshje dhe ta nisim Ligën e Konferencës me fitore”, ka insistuar Koubek.
Gjithashtu, Koubek ka thënë se sikurse Plzeni edhe skuadrat e tjera të grupit kanë gjasa për të avancuar tutje. Krahas Plzenit e Ballkanit, pjesë e këtij grupi janë edhe Dinamo e Zagrebit e Astana, skuadra këto që do të përballen po ashtu të enjten prej orës 21:00, por në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.