Ndonëse ka siguruar vendin e parë në grup dhe kalimin tutje, Viktoria Plzeni synon ta mposhtë Ballkanin në ndeshjen e xhiros së parafundit të Grupit C të Ligës së Konferencës. Te skuadra çeke kanë shprehur optimizmin para përballjes me Ballkanin, që do të zhvillohet të enjten prej orës 18:45 në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.
Plzen i prin grupit me 12 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa përballja për Ballkanin vlerësohet tejet e rëndësishme. Kampioni i Kosovës ka tubuar katër pikë dhe është ende në garë për të avancuar në fazën tjetër të Ligës së Konferencës.
“Sigurisht që synimi është të fitojmë ndaj Ballkanit. Kemi katër fitore dhe 12 pikë në grup, kurse duam të bëjmë një paraqitje të mirë në Tiranë. Pra, synimet tona nuk ndryshojnë asgjë. Për ne ka më shumë rëndësi ndeshja që e kemi në kampionat, por atë do ta luajmë tri ditë pas duelit me Ballkanin”, ka thënë ndihmëstrajneri i Plzenit, Jan Trousil. “Duam ta fitojmë edhe këtë ndeshje në udhëtim dhe të vazhdojmë me paraqitjet e mira në Ligën e Konferencës. Kështu që pas duelit me Ballkanin, do të fokusohemi në kampionat”.
Plzeni të mërkurën ka mbërritur në Tiranë dhe ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes me Ballkanin. Ekipi i madh çek nuk do të jetë i kompletuar për këtë duel, sidomos në repartin e sulmit. Jan Kliment është sulmuesi i vetëm në dispozicion dhe tek i cili Plzeni do të mbështetet ndaj Ballkanit. Me ekipin ka udhëtuar edhe sulmuesi i ekipit të dytë, Pavel Hasek, i cili mund të debutojë te Plzeni.
“Prej pesë sulmuesve do ta kemi në dispozicion vetëm Jan Klimentin dhe ai do të jetë lojtari ynë kryesor përpara, në të cilën do të mbështetemi ndaj Ballkanit. Ndërsa sa i përket Pavel Hasekut, ne e kemi marrë për shkak të mungesave të mëdha dhe nëse është e nevojshme do ta inkuadrojmë”, tha Trousil.
Kliment 30-vjeçar këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime në 21 paraqitje për Plzenin në të gjitha garat, ndërsa në Ligën e Konferencës ka vetëm 36 minuta lojë.
Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, i zhvilluar në Çeki në kuadër të xhiros së parë, kishte përfunduar me fitoren minimale të Plzenit – 1:0.