Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nis ndeshja vendimtare e Ballkanit

Ka nisur në “Maksimir” të Zagrebit, ndeshja vendimtare e Ballkanit për edicionin e sivjetmë të Ligës së Konferencës. Kampionët nga Suhareka takohen me Dinamo Zagrebin në ndeshjen mbyllëse të fazës së grupeve. Vetëm me fitore Ballkani mban gjallë shpresat për kualifikim në fazën tjetër të garës.

Aktualisht Ballkani është i fundit në grup me katër pikë të mbledhura, dy më pak se Dinamo që renditet e dyta. Katër pikë i ka edhe Astana që është e treta në tabelë për shkak të ndeshjeve direkte më të mira se Ballkani. Viktoria Plzeni, që ka pesë fitore në po aq ndeshje, tashmë ka siguruar vendin e parë dhe kalimin tutje. Për pozitën e dytë në grup në garë janë tri skuadra, por gjasat më të mira i ka Dinamo pasi ekipit kroat i mjafton edhe barazimi për të avancuar tutje. Ndërkohë, Ballkani edhe nëse mposht Dinamon në Zagreb, duhet të shpresojë që Astana mos të fitojë ndaj Plzenit në Çeki.

Ballkani në ndeshje nis me këtë formacion:

Në portë është Enea Koliçi, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Lumbardh Dellova e Bajram Jashanica në qendër, si dhe Gentrit Halili e Armend Thaqi në krah. Kapiteni Edvin Kuç do të jetë në mesfushë së bashku me Nazmi Gripshin, Qëndrim Zybën dhe Lorenc Trashin. Ndërkohë, sulmit do t’i prijnë Walid Hamidi e Albin Berisha.