Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liga e Konferencës, Ballkani luan ndeshjen vendimtare në Zagreb

Te skuadra e Ballkanit nuk ka vend për kalkulime në ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit, me të cilën edhe mbyllet faza e grupeve në Ligën e Konferencës. Duke pasur parasysh këtë, futbollistët e Ballkanit do të dalin në fushë për ta mposhtur Dinamon në Zagreb. Vetëm me fitore Ballkani mund të mbajë gjallë shpresat për kualifikim në fazën tjetër të kësaj gare.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pranuar se ekipin e tij e pret një ndeshje e vështirë në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, por ka thënë se te kampioni i Kosovës nuk kanë çfarë të humbin. Pra, ka paralajmëruar se Ballkani futet në këtë ndeshje për të marrë gjithçka ose asgjë.

Dueli mes Dinamos dhe Ballkanit zhvillohet të enjten [sot] prej orës 21:00 dhe i takon Grupit C të Ligës së Konferencës. Aktualisht Ballkani është i fundit në grup me katër pikë të mbledhura, dy më pak se Dinamo që renditet e dyta. Katër pikë i ka edhe Astana që është e treta në tabelë për shkak të ndeshjeve direkte më të mira se Ballkani. Viktoria Plzeni, që ka pesë fitore në po aq ndeshje, tashmë ka siguruar vendin e parë dhe kalimin tutje.

Për pozitën e dytë në grup në garë janë tri skuadra, por gjasat më të mira i ka Dinamo pasi ekipit kroat i mjafton edhe barazimi për të avancuar tutje. Ndërkohë, Ballkani edhe nëse mposht Dinamon në Zagreb, duhet të shpresojë që Astana mos të fitojë ndaj Plzenit në Çeki.

Ballkani edhe në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin e krahut, Almir Kryeziu, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që po e mban jashtë fushe për javën e tretë. Ndërkohë, do të mungojë edhe sulmuesi Walid Hamidi për shkak të suspendimit.

Pavarësisht si përfundon ndeshja në “Maksimirin” e famshëm në Zagreb, edhe ky rrugëtim i Ballkanit në Ligën e Konferencës mund të vlerësohet shumë i suksesshëm për skuadrën suharekase, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.