Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dinamo synon t’i revanshohet Ballkanit

Trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq, e ka vlerësuar ndeshjen me Ballkanin si shumë të rëndësishme për ekipin e tij. Jakiroviq ka thënë se kjo përballje është vendimtare për synimin e parë të Dinamos, vazhdimin e garave në Evropë, dhe për këtë arsye pret fitore ndaj kampionit të Kosovës.

Jakiroviq ka insistuar se Dinamo prej fillimit të ndeshjes do ta kërkoj fitoren, e cila ia garanton avancimin nga Grupi C i Ligës së Konferencës. Ai e di se Dinamos i përshtatet edhe barazimi ndaj Ballkanit për të kaluar tutje, por insistoi se do të luajnë vetëm për fitore.

Ndeshja mes Dinamos dhe Ballkanit do të luhet të enjten prej orës 21:00 në Zagreb dhe i takon xhiros së fundit të fazës së grupeve të kësaj gare.

“Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, vendimtare për qëllimin tonë të parë, për të kaluar dimrin në Evropë. Ne këtë ndeshje donim ta kishim pas fitores në Astana dhe tani e kemi këtë finale në shtëpi kundër Ballkanit. Pres që të prezantohemi seriozisht, të jemi të përgjegjshëm taktikisht. Na përshtatet edhe barazimi, por e kemi të pamundur të luajmë për barazim. Ne duam të fitojmë, kështu do të pozicionohemi prej minutës së parë dhe besoj se do ta arrijmë objektivin që është avancimi tutje”, tha Jakiroviq të mërkurën në konferencën për shtyp.

Jakiroviq shtoi se tashmë ka vendosur për formacionin dhe se të gjithë lojtarët i ka në dispozicion për duelin me Ballkanin. Ai zbuloi se në përbërjen startuese te Dinamo janë gjashtë lojtarë të rinj, të cilët nuk ishin për ndeshjen në Prishtinë, të cilën kroatët e humbën 2:0. Jakiroviq tha se e njeh mirë ekipin e Ilir Dajës, të cilin e ka analizuar dhe kërkoi nga futbollistët e tij të tregohen të përgjegjshëm dhe mos të kenë gabime.

“Do ta nisim ndeshjen me gaz të plotë pasi nuk kemi çka të kalkulojmë apo të presim. Luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë dhe duam sa më shpejt të shënojmë gol dhe të kontrollojmë gjërat. Ne nuk i kemi nënvlerësuar kundërshtarët në Prishtinë, por kishim mungesa të shumta”, është shprehur Jakiroviq. “E kemi analizuar ndeshjen e fundit të Ballkanit dhe e njohim mirë. Gjatë gjithë këtij sezoni te Ballkani po luajnë mirë, ndërsa në ndeshjen e fundit patën shumë gabime. Duhet të jemi serioz dhe të kemi sa më pak gabime”.

Edhe mesfushori Martin Baturina insistoi se Dinamo nuk do të luajë për barazim por për fitore ndaj Ballkanit. Ai shtoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë të motivuar që fazën e grupeve ta mbyllin me triumf.

“Atmosfera është e mirë, pasi kemi fituar shumë kohët e fundit. Trajneri i tha të gjitha dhe tani na mbetet të dalim në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen. Ne nuk duam të luajmë për barazim, pasi duhet të barazojmë llogaritë për humbjen në Prishtinë. Jemi të motivuar dhe gati, ndërsa ndeshjen po e presim të gjithë me padurim”, u shpreh Baturina.

Sipas tij, Dinamo ende nuk e ka përballuar humbjen që Ballkani ia shkaktoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pikërisht kjo disfatë do të jetë motiv shtesë për futbollistët e Dinamos, insistoi Baturina.

“Nuk do të thosha se e kemi nënçmuar Ballkanin në ndeshjen e parë, por fusha nuk ishte e mirë dhe patëm një mbrëmje të keqe. Ajo humbje na ka lënë shije të hidhur dhe do të jetë motiv shtesë për ndeshjen e së enjtes”, u shpreh Baturina.

Pak ditë pas duelit me Ballkanin, Dinamo luan një ndeshje tjetër të rëndësishme, këtë herë në kampionat. Të dielën e pret në stadiumin “Maksimir” liderin e kampionatit të Kroacisë, Hajdukun e Splitit.

Artikuj të ngjashëm