Legjenda e Dinamo Zagrebit, Kujtim Shala, është 100 për qind i bindur se kampionia kosovare do të fitojë ndaj kampionit kosovar, Ballkanit.
Dinamo e Ballkani përballen të enjten prej orës 21:00 në “Maksimir” të Zagrebit, në kuadër të xhiros së fundit të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Derisa Dinamos i mjafton barazimi për të avancuar, Ballkanit i duhet fitorja dhe në të njëjtën kohë që Astana mos të fitojë ndaj Viktoria Plzenit në Çeki.
“Nuk duhet të nënçmohet askush, pra as Ballkani, por unë jam 100 për qind i sigurt që Dinamo do të fitojë në ndeshjen e kthimit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë rezultat tjetër. Besoj në lojtarët tanë dhe në trajnerin Jokiroviq, që sigurisht në mënyrë optimale do ta përgatit ekipin, do ta mposht Ballkanin dhe do të kalojnë në fazën tjetër të Ligës së Konferencës. Dinamo ka ekip më të mirë dhe do të festojë në ‘Maksimirin’ e stërmbushur’”, ka thënë Shala për gazetën kroate “Sportske Novosti”.
Ai ka dhënë mendimin se si duhet Dinamo të luaj ndaj Ballkanit. Skuadra suharekase më 5 tetor kishte fituar 2:0 ndaj Dinamos në Prishtinë.
“Dinamo duhet të luaj fuqishëm nga fillimi. Të bëj presin në 15 minutat e parë, ashtu si di ajo, dhe sa më shpejtë të shënoi gol dhe kështu ta vë Ballkanin në vështirësi. Nuk duhet të pritet me durim, por menjëherë të sulmohet, të shënohet gol dhe të merret kontrolli në lojë. Ky është mendimi im. Jokiroviqi është trajner dhe ai vendos, por do të thoja që mendojmë në mënyrë të ngjajshme dhe që vërtetë do të kërkoi gol të hershëm”, ka shtuar Shala, që vazhdon të ketë shumë përkrahës në mesin e tifozëve të zjarrtë të Dinamo Zagrebit.
Shala pret që Bruno Petkoviq të jetë lojtari vendimtar të enjten mbrëma në “Maksimir”. Thotë se me të në përbërje, Dinamo është 50 për qind më e mirë. Petkoviq nuk kishte luajtur në Prishtinë.
Edhe
Liga e Konferencës, Ballkani luan ndeshjen vendimtare në Zagreb
Sipas Shalës, Dinamo ka shumë lojtarë të mirë. Ai nuk sheh mënyrë se si Ballkani do t’i ndalë ata.
Shala ka luajtur për Dinamon nga viti 1989 deri në vitin 1991. Por ka mbetur në kujtesën e tifozëve për lojën në fushë dhe për kontributin për Dinamon në atë kohë të vështirë. Shala 59-vjeçar, ka luajtur në ndeshjen e parë të Kroacisë, në vitin 1990.
Shala është prej emrave të mëdhenj të futbollit kosovar. Ka nisur te Liria e Prizrenit, ndërsa me sukses është paraqitur edhe te Prishtina. Ka luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, Rennesin në Francë dhe për shumë skuadra në Gjermani, ku edhe jeton.