Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ish-selektori i Kosovës vlerëson Ballkanin para ndeshjes me Dinamon

Ish-selektori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Primozh Gliha, ka folur për mediumet kroate para duelit të Dinamo Zagrebit me skuadrën e Ballkanit. Kjo ndeshje vlerësohet vendimtare për Dinamon që të vazhdojë garat në Evropë, ndërsa gjasa për të kaluar fazën e grupeve ka edhe Ballkani. Ndeshja mes Dinamos dhe Ballkanit luhet të enjten (21:00) në Zagreb, ndërsa i takon xhiros së fundit të Grupit C të Ligës së Konferencës. Dinamo është e dyta në tabelë me gjashtë pikë, dy më shumë se Ballkani që është i fundit. Dinamos i mjafton edhe barazimi ndaj kampionit të Kosovës për të avancuar tutje.

Slloveni Gliha e sheh favorit kampionin e Kroacisë përball atij të Kosovës, duke pasur parasysh se Dinamo e ka detyrim kalimin në raundin tjetër të kësaj gare.

“Dinamo e ka synimin si detyrim dhe tani rrethanat kanë ndryshuar shumë. Kur jeni në krizë, fusha si vendas do të jetë një erë e madhe në shpinë. Ndeshjen e fundit të Dinamos në kampionat nuk e kam parë, por kam dëgjuar se nuk luajti mirë. Megjithatë për Dinamon ishte e rëndësishme fitorja”, ka thënë Gliha për sajtin kroat “Tportal”.

Gliha për katër muaj ishte në krye të Kosovës. Ai në fund të muajit të shkuar u largua nga ky post pasi i skadoi marrëveshja e lidhur në korrik me Federatën e Futbollit të Kosovës. Nën drejtimin e trajnerit slloven, Kosova shënoi dy fitore, ndërsa pati po aq barazime dhe humbje. Ai ka thënë se e njeh mirë Ballkanin dhe ka paralajmëruar se ekipi i Ilir Dajës nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment.

“I njoh lojtarët e Ballkanit, sepse dy prej tyre, Dellova dhe Zyba, janë reprezentues të Kosovës. Do ta kisha ftuar edhe Emërllahun, por ai ishte i lënduar. Këta dy janë lojtarë defensivë, të rinj por me shumë potencë. Sigurisht, Dellova do të ketë detyrë për ta ruajtur Petkoviqin. Por, duke pasur parasysh se janë të rinjë, atëherë te ata problem mund të jetë që të jenë shumë gjatë të koncentruar. Ndërsa, të gjithë e dimë se kush është Dinamo si dhe stadiumi ku i luan ndeshjet si vendas. Kështu që Dinamo do të duhet ta përgatit shumë mirë ekipin në aspektin psikologjik”, paralajmëroi Gliha.

Edhe pse pati fjalë të mëdha për Ballkanin, Gliha tha se përparësia e Dinamos në fushë do të jetë sulmuesi Bruno Petkoviq. Petkoviq mungoi në ndeshjen e parë në Prishtinë, të cilën Dinamo e humbi 2:0. Megjithatë, të enjten mbrëma ai do t’i prijë sulmit të Dinamos. Gliha ka tërhequr një paralele duke thënë se edhe ai ishte në situatë të ngjashme sikur Dinamo pa Petkoviqin kur u përball me Bjellorusinë dhe Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Edhe Dinamo synon t’i revanshohet Ballkanit Sport Dinamo synon t’i revanshohet Ballkanit

“Sigurisht që Ballkani nuk duhet nënvlerësuar. Por e përsërisë, rrethanat tani janë ndryshe. Unë kisha një problem të ngjashëm kur luajtëm kundër Bjellorusisë, sepse më mungonin tre qendërsulmues. Kundër Zvicrës isha në një problem të ngjashëm. Kështu ishte edhe për Dinamon në atë ndeshjen e parë sepse nuk e kishte Petkoviqin. Tani e ka Petkoviqin, i cili di të shënoj gol, të pasoj topin dhe të asistoj”, është shprehur Gliha.

Trajneri slloven insistoi se paraqitja e dobët e Dinamos në ndeshjen e fundit ndaj Rudeshit nuk mund të merret si pikë referimi dhe atë sidomos para një dueli të rëndësishëm siç është ky me Ballkanin.

“E dini, loja e dobët ndaj Rudeshit nuk është pikë referimi, sepse është fundi i vitit, lojtarët duhet të kenë menduar se çfarë i pret këtë javë. Për ne trajnerët është gjithmonë më e vështira të motivohen lojtarët për këto të ashtuquajtura ndeshje të vogla. Kështu ishte edhe për mua kur luajtëm kundër Andorrës. Kisha frikë nga ajo ndeshje. Dhe besoj se kështu ishte edhe për Jakiroviqin ndaj Rudeshit. Nuk është problem në ndeshjet e mëdha, pasi për to duhet t'i ulësh pak lojtarët në tokë”, tha Gliha.