Sport

Me përkrahjen e tifozëve, Ballkani shpreson në pikë ndaj Dinamos

Me thirrjen për të gjithë futbolldashësit kosovarë që të mbushin tribunat e stadiumit dhe ta përkrahin Ballkanin në duelin ndaj Dinamo Zagrebit, trajneri Ilir Daja e mbylli konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën pasdite.

Thirrjen për mbështetje masive, Daja e bëri një ditë para ndeshjes së kampionit kosovar me ekipin e madh nga Kroacia.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Dinamos zhvillohet të enjten prej orës 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. I takon xhiros së dytë të fazës grupore të Ligës së Konferencës.

“Ftoj të gjithë sportdashësit e Kosovës për të na mbështetur, sepse do të jenë një shtysë akoma më e madhe për ne karshi një kundërshtari siç është Dinamo e Zagrebit”, ishte apeli i Dajës, me të cilin e mbylli konferencën.

Para dy javësh, Dinamo triumfoi thellë ndaj Astanas, 5:1, ndërsa Ballkani pësoi me rezultatin 1:0 në Çeki nga Viktoria Plzeni.

Trajneri Daja e pranon se Dinamo është favoritja kryesore së bashku me Plzenin për të avancuar nga grupi C. Por thotë se Ballkani është përgatitur mirë dhe se të gjithë futbollistët janë të motivuar për të mos kursyer asgjë nga vetja të enjten mbrëma.

“Për nivelin që ka Dinamo nuk duhet të flasim shumë pasi dihet që ka përvojë të madhe dhe është përfaqësuesi më i madh i Kroacisë. Ecurinë e Dinamos e kemi ndjekur dhe sigurisht që është favoriti kryesor me Viktorian për të kaluar grupin. Por sigurisht që motivi i lojtarëve tanë është në maksimum, pasi nuk ka nevojë për një gjë të tillë kur përballesh me një ekip si Dinamo. Duhet të jemi të vëmendshëm me ekipe të tilla. Jemi përgatitur duke e ditur se kemi punë me kundërshtar të fortë, por shpresoj që me ndihmën e publikut të bëjmë një gjë të bukur. Se sa do të arrijmë do të mbetet të shihet”, ka pranuar Daja.

Tekniku tiranas tha se vetëm një lojtar mbetet në dyshim për ndeshjen me Dinamon, por nuk e zbuloi emrin e tij. Shtoi se është lojtar i rëndësishëm, të cilin shpreson ta ketë në dispozicion.

“Kemi atmosferë të mirë brenda grupit, por edhe ecuri të mirë pasi në kampionat kemi gjashtë fitore e një barazim dhe kemi pasur paraqitje të mira. Shpresoj ta tregojmë këtë edhe ndaj Dinamos, një kundërshtar shumë i vështirë”, tha Daja, i cili foli edhe për mungesat te Dinamo. Kampionia kroate ka disa mungesa të rëndësishme për ndeshjen në Prishtinë.

“Një ekip si Dinamo sigurisht se ka hierarki sa i përket cilësisë së lojtarëve. Në ndeshjen e fundit i është lënduar lojtari kryesor, sulmuesi, por me kontingjentin që ka në dispozicion nuk besoj se do të vërehet mungesa e tij shumë, edhe pse është golashënuesi më i mirë dhe reprezentues i Kroacisë. Besoj se Dinamo ka kontingjent që mund ta përballojë mungesën e tij, pasi edhe ata që do ta zëvendësojnë janë të nivelit të lartë”.

Daja tha se në këto nivele secili kundërshtar është i vështirë. Bazuar në ndeshjet që Ballkani i ka pasur deri më tani në arenën evropiane, Daja tha se Dinamo mbetet kundërshtari më i vështirë. Trajneri i suharekasve theksoi se kampioni i Kosovës nuk do të dorëzohet për asnjë moment në fushë përballë kampionit të Kroacisë, duke u munduar të shfaqë lojë të mirë.

“Do ta respektojmë Dinamon, por nuk do të heqim dorë as prej respektit nga vetja, pasi jemi ekip që përfaqësojmë Kosovën në futbollin evropian për vitin e dytë rresht. Obligimi ynë është që të shfaqemi sa më mirë që të jetë i mundur brenda mundësive tona. Të bëjmë atë lojë që do ta shfaqim futbollin e Kosovës në nivelet sa më të mira të mundshme”, insistoi Daja.

Sipas tij, Ballkani këtë edicion ka pak më shumë përvojë pasi është hera e dytë rresht që po luan në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe kjo është një gjë pozitive. Ka përmendur largimin e lojtarëve kryesorë si Meriton Korenica, Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi dhe lëndimin e Lindon Emërllahut.

“Nuk kam qejf të futem në detaje, por do të luajmë si Ballkani që ka luajtur gjatë gjithë kohës dhe është përplasur ballë për ballë me çdo kundërshtar. Kemi sulmuar kur është dashur të sulmojmë dhe jemi mbrojtur kur është dashur të mbrohemi. Kjo lojë në pjesën më të madhe ka rezultuar të jetë pozitive”, tha Daja.

Mesfushori Qëndrim Zyba u tregua konkret sa u takon synimeve. Tha se Ballkani do të futet në lojë ndaj ekipit kroat për rezultat pozitiv, të cilin shpreson ta arrijnë edhe më përkrahjen e madhe të tifozëve.

“Presim një ndeshje shumë të vështirë edhe pse jo vetëm ndaj Dinamos, por në të gjitha duelet e tjera të Ligës së Konferencës do të futemi maksimalisht. Do të futemi për të dhënë gjithçka nga vetja për një rezultat pozitiv ndaj një ekipi të fortë dhe me traditë, pasi Dinamo ka luajtur edhe në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Shpresojmë të arrijmë synimin që e kemi për këtë ndeshje, pasi do ta kemi edhe përkrahjen e madhe të tifozëve”, tha Zyba.

Dueli tjetër i këtij grupi, ai ndërmjet Astanas dhe Viktoria Plzenit, luhet të enjten prej orës 16:30.