Trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq, ka vlerësuar lart Ballkanin para ndeshjes që do të luhet të enjten mbrëma në Prishtinë. Ballkani dhe Dinamo do të përballen në kuadër të Ligës së Konferencës, në ndeshjen që i takon Grupit C dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 18:45.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Jakiroviq tha se e ka parasysh se çfarë e pret ekipin e tij në duelin kundër kampionit të Kosovës. Sipas tij, Dinamo duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm pasi Ballkani në ndeshjet që i ka luajtur në Kosovë është treguar kundërshtar i fortë dhe ka mposhtur skuadra të ndryshme në garat evropiane.
“Na pret një ndeshje goxha sfiduese, me një ekip të organizuar mirë dhe tejet konkurrues. Jemi përgatitur mirë për këtë duel, pasi përballë kemi një ekip të fortë. Duhet të japim maksimumin, pasi Ballkani ka ditur të jetë kundërshtar i fortë në shtëpi dhe ka fituar ndaj skuadrave të ndryshme”, ka insistuar Jakiroviq.
Trajneri Jakiroviq për ndeshjen ndaj Ballkanit nuk mund të llogarisë në Bruno Petkoviqin, Stefan Ristovskin dhe Dario Shpikiqin. Ndërsa nuk do ta aktivizojë as sulmuesin Josip Drmiq që do të pauzojë ndaj Ballkanit për të qenë i gatshëm për duelin e vikendit në kampionat.
“Nuk do të rrezikojmë me Josip Drmiqin pasi kemi lojë në kampionat. Nuk po ankohet në stërvitje, ka dhënë 50 për qind, por nuk donte ta rrezikojmë”, zbuloi Jakiroviq.
Dinamo ndaj Ballkanit futet pas humbjes që e pësoi në derbin e Kroacisë kundër Hajdukut. Hajduku i Splitit triumfoi me rezultatin 1:0, falë golit të futbollistit nga Kosova, Emir Sahiti.
Jakiroviq tha se gabimet ndaj Hajdukut, Dinamo nuk duhet t’i përsëritë edhe ndaj Ballkanit, pasi kanë punuar në këtë aspekt.
“Disfatën ndaj Hajdukut e kemi pritur shumë rëndë. E kemi pranuar golin nga një ‘plumb qorr’. Kështu që ndaj Ballkanit duhet t’i minimizojmë gabimet dhe të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm”, u shpreh Jakiroviq.
Në fund, Jakiroviq ka thënë se e di shumë mirë që Dinamo ka adhurues në Prishtinë dhe në Kosovë. Ka përmendur Kujtim Shalën, i cili ka qenë pjesë e ekipit të madh kroat.
Në konferencën për shtyp, krahas trajnerit Jakiroviq u paraqit edhe mesfushori Marko Bulat. Sipas tij, Ballkani është ngritur shumë vitet e fundit si ekip dhe loja që aplikon është agresive, gjë që e obligon Dinamon të mos kursejë asgjë nga vetja në këtë përballje.
“Bota nuk e njeh Ballkanin si ekip, por edhe ne nuk e kemi njohur derisa kemi filluar ta analizojmë. Gjatë viteve të fundit Ballkani është rritur shumë dhe luan në mënyrë agresive. Duhet të japim më të mirën nga vetja, ndërsa fusha është ajo që është për të dyja ekipet”, tha Bulat.
Ai insistoi se rezultati i derbit kundër Hajdukut nuk ishte pasqyrë reale e lojës që e ka shfaqur në fushë Dinamo. Megjithatë, Bulat ka insistuar se kjo humbje tashmë është harruar dhe synohet fitore në Prishtinë ndaj Ballkanit.
“Ndeshja me Hajdukun ishte specifike, por rezultati nuk është pasqyrë reale e lojës që e kemi zhvilluar. Ndaj Ballkanit na pret një ndeshje e rëndësishme, të cilën synojmë ta fitojmë”, shtoi Bulat.
Dinamo nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve të vet në Prishtinë.