Sport

MKRS-ja ndan paratë për federatat sportive, jo edhe për atë të futbollit

Plot nëntëmbëdhjetë federata sportive të martën kanë mësuar se sa para do të marrin nga shteti gjatë vitit 2023. Por, në mesin e tyre nuk është federata më e madhe në vend, ajo e futbollit.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon të mos jetë e licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Dhe për këtë arsye MKRS-ja të martën nuk firmosi “marrëveshjen vjetore për mbështetje financiare”.

Nga FFK-ja ka disa javë që e kanë vlerësuar punë të kryer licencimin, që megjithatë nuk ka ndodhur ende. Nga MKRS-ja kanë thënë se presin që deri në fund të marsit të licencohen të gjitha federatat që kanë aplikuar. Nga Komisioni për Licencim të federatave, që funksionon në kuadër të MKRS-së, kanë thënë se FFK-ja nuk i ka plotësuar ende kriteret e kërkuara dhe për këtë nuk po i ndahet licenca.

Por, janë 19 federata që tashmë e kanë licencën për funksionim dhe që të martën firmosën marrëveshje për mbështetje financiare gjatë këtij viti.

“Procesi i licencimit të federatave të sportit po shkon drejt përfundimit. Deri tani janë licencuar 19 federata, me të cilat sot nënshkruam marrëveshjet vjetore për mbështetje financiare. Vlera totale e përkrahjes financiare këtë vit për federatat sportive, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komitetin Paralimpik është afër pesë milionë euro. Tre milionë të tjerë janë paraparë mbështetje për programe të veçanta”, ka shkruar ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

Ndarja e mjeteve të shtetit për federatat bëhet në bazë të kategorizimit. Kategorizimin për herë të fundit e ka bërë Komiteti Olimpik, ndërsa për të renditur sportet merren për bazë shumë kritere, si sukseset e masoviteti.

Në bazë të kategorizimit, Federatës së Xhudos i takojnë 260 mijë euro. Federatës së Hendbollit i takojnë 210,860 euro, ndërsa asaj të volejbollit 210,288 euro. Pason Federata e Basketbollit me 208,598 euro, ndërsa më pas vjen ajo e boksit me 185,354 euro.

Sporti shkollor, atletika, pingpongu, mundja, skitaria, tenisi, autosportet, shenjëtaria, noti, triatloni, badmintoni, çiklizmi, golfi, muay thai janë sportet e tjera që kanë firmosur të martën për përkrahje nga buxheti i shtetit.

FFK-ja kur të licencohet do të përkrahet nga shteti me 260 mijë euro, sa edhe xhudoja.

“Shuma totale e memorandumeve të nënshkruara sot me federatat e licencuara në MKRS tejkalon shifrën e 2.2 milionë eurove. Mbështetja për këto federata reflekton rritjen prej afër 30 për qind në krahasim me vitin 2022, ndërsa afër 100 për qind në krahasim me vitin 2021”, ka shkruar Daulina Osmani, zëvendësministre për Kulturë, Rini dhe Sport.

Derisa për shumicën e federatave sportive buxheti i shtetit është burimi i vetëm, FFK-ja shumicën e parave i merr nga UEFA e FIFA. Megjithatë, moslicencimi godet edhe futbollin. Ndër të tjera, klubet nuk mund të përfitojnë nga Ligji për sponsorizim, që tashmë sjell shumicën e të hyrave për klubet sportive.

Image