Shumica e parave nga marrëveshjet e sponsorizimit të realizuara vitin e kaluar kanë përfunduar në klube sportive, kryesisht të futbollit e të basketbollit. Nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit megjithatë kanë përfituar edhe federatat sportive. Por jo edhe Federata më e madhe në vend, ajo e Futbollit.
Në bazë të raportit zyrtar, FFK-së nuk i është lëshuar asnjë vërtetim për realizim të marrëveshjeve për sponsorizim gjatë vitit të kaluar. Rrjedhimisht FFK-ja, që ka të hyra milionëshe, kryesisht nga UEFA, gjatë vitit 2023 nuk ka realizuar asnjë marrëveshje sponsorizimi.
Më së shumti prej federatave sportive ka përfituar ajo e basketbollit – 228 mijë euro. Pason federata më e suksesshme në Kosovë, ajo e xhudos, me marrëveshje në vlerë prej 160 mijë euro. Federata e Volejbollit gjatë vitit 2023 nga marrëveshjet e sponsorizimit kishte të hyra prej 122 mijë euro, ndërsa e hendbollit prej 115 mijë euro.
Federatat e tjera, që janë më të vogla, kanë dukshëm më pak të hyra nga sponsorizimi. Por shumica e federatave nuk kanë përfituar vjet nga Ligji për Sponsorizim, ndonëse të hyrat për sport prej tij ishin mbi 15 milionë euro.
Federatat kanë përfituar dukshëm më pak se klubet sportive. Katër klube kanë kaluar kufirin prej 1 milion eurosh me të hyrat nga sponsorizimi gjatë vitit 2023. Klubi i basketbollit Peja kishte të hyra prej 1,3 milionë euro, ndërsa KB Trepça e KB Sigal Prishtina mbi 1,1 milionë euro. Në këtë mes ka hyrë vetëm edhe klubi i futbollit Ballkani, që kishte të hyra prej pak më shumë se 1 milion euro.
Ligji i Sponsorizimit është vetëm njëra prej mënyrave të financimit në sportin kosovar.
Ligji për Sponsorizime në sport megjithatë pritet të ndryshojë së shpejti. Kjo edhe për shkak të dyshimeve gjithnjë e më të mëdha për keqpërdorim të tij.
Në tryezën e pestë të sportit, që mbahet të martën e ardhshme në Prishtinë, do të diskutohet edhe për “plotësim-ndryshim të Ligjit për Sponsorizim”. Kjo pikë është në rendin e ditës të tryezës për sport, që është bërë publik të martën. Tryezën e organizojnë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Të hyrat e federatave sportive nga marrëveshjet e sponsorizimit (2023)
Federata e Basketbollit e Kosovës: 228,096 euro
Federata e Volejbollit e Kosovës: 122,200
Federata e Hendbollit e Kosovës: 115,000
Federata e Xhudos e Kosovës: 160,000
Federata e Ragbit e Kosovës: 15,000
Federata e Atletikës e Kosovës: 21,000
Federata e Boulingut e Kosovës: 17,000
Federata e Tenisit e Kosovës: 61,000
Federata e Shahut e Kosovës: 56,000
Federata e Mundjes e Kosovës: 2500
Federata e Golfit e Kosovës: 15,000
Federata e Shenjëtarisë Sportive: 13,484
*******
Komiteti Olimpik i Kosovës: 100,000
Komiteti Paralimpik i Kosovës: 30,000
Raporti i sponsorizimit për vitin 2023