Ligji për sponsorizim në kulturë, rini dhe sport i vitit 2017 ka krijuar një kanal serioz financimi për këto fusha. Kjo vlen sidomos për sportin, sektor dominues që përfiton nga sponsorizimet. Sipas të dhënave që sapo u publikuan nga MKRS për vitin e kaluar, vetëm gjatë vitit 2025 sporti ka përfituar nga sponsorizimet rreth 25 milion euro. Kjo shumë është duke u rritur vit pas viti. Në vitin 2024 klubet dhe federatat sportive kanë përfituar nga sponsorizimet mbi 20 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2023 kjo shumë ka qenë afër 16 milionë euro.
Në parim, ky është lajm i mirë. Megjithatë, në mes të qëllimit të supozuar të ligjit dhe praktikës së zbatimit në terren ekziston një hendek serioz. Në nivele të ndryshme, nga transparenca, mbikëqyrja e llogaridhënia e deri te dedikimi e mënyra e shfrytëzimit të këtyre fondeve. Të gjitha janë të rëndësishme, por këto të fundit janë kryesoret, sepse janë përcaktuese për gjithë sistemin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëto nuk janë thjesht “para private”. Në thelb, fondet e orientuara përmes lirimeve tatimore të parashikuara nga Ligji për sponsorizim janë, realisht, mbështetje publike. Sepse janë mjete që shteti ka zgjedhur të mos i mbledhë në buxhet përmes tatimit në fitim (deri në 30% të këtij tatimi në rastin e sportit), por t’ia lë bizneseve t’i orientojnë drejtpërdrejt në klube e federata të përzgjedhura prej tyre. Jo si dhurim, por në këmbim të përfitimeve në reklamë e promovim të biznesit përkatës.
Kjo do të thotë se shteti ka hequr dorë nga një pjesë e buxhetit të vet duke deleguar orientimin e asaj pjese të buxhetit drejtpërdrejtë nga sektori privat. Por kjo nuk është shoqëruar njëkohësisht me standarde të duhura të llogaridhënies publike për mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve.
Ligji për sponsorizim e definon sponsorizimin si mjet për realizimin e interesit të përgjithshëm në fushën e sportit (si dhe kulturës e rinisë). Por, definimi i këtij interesi publik është shumë i gjerë dhe përfshin çfarëdo aktiviteti sportiv, duke u nisur nga premisa se çfarëdo aktiviteti sportiv është interes publik. Patjetër që sporti në vetvete është aktivitet shumë i vlefshëm shoqëror, por brenda sportit ekziston dallim i madh mes aktiviteteve që avancojnë interesin publik afatgjatë dhe atyre që kryesisht shërbejnë ambicie afatshkurtra, zakonisht të grupeve të vogla.
Të dhënat tregojnë se përfituesit kryesorë janë futbolli dhe basketbolli, që marrin 65–75% të totalit, varësisht nga viti. Federatat përkatëse dhe klubet kryesore të këtyre dy sporteve përfitojnë qindra mijëra, e në disa raste edhe mbi 1 milion euro në vit nga sponsorizimet, pa përfshirë fondet direkte nga institucionet qendrore e lokale. Kjo është e pritshme për shkak të popullaritetit të tyre. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve dedikohet për paga të ekipeve seniore, përfshirë lojtarë e trajnerë vendorë e të huaj, e aty këtu edhe për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare ku, me pak përjashtime, rezultatet e ekipeve kosovare kanë qenë modeste.
Ndërkohë, aspektet që përbëjnë thelbin e interesit publik në sport, siç janë masovizimi, infrastruktura sportive në lagje e fshatra, sporti shkollor, përfshirja e vajzave, grave e të moshuarve në sport e aktivitet fizik, edukimi i trajnerëve dhe profesionistëve të tjerë sportiv, siguria dhe kujdesi shëndetësor në sport, parandalimi i dhunës, etj. vazhdojnë të mbulohen gati se ekskluzivisht nga buxheti i shtetit.
Me pak përjashtime, klubet që përfitojnë miliona nga sponsorizimet vazhdojnë të mbledhin pagesa të larta nga fëmijët në ekipet e grupmoshave, të stërvisin me grupe të mbingarkuara dhe me trajnerë të paguar minimalisht, pa investime në infrastrukturë apo kushte bazike për punë cilësore, pa ekipe të vajzave e pa hapësira të sigurta për fëmijë. Kjo nuk është thjesht çështje e menaxhimit të brendshëm të klubeve, por e strukturës së incentivave që ky ligji krijon: sponsorizimet shpërblejnë ekspozimin dhe rezultatin e menjëhershëm, jo domosdoshmërisht zhvillimin afatgjatë dhe përfshirjen masive.
Natyrisht, bizneset, në mënyrë racionale, orientohen drejt aktiviteteve me dukshmëri më të lartë mediatike e publike. Kjo është logjika e tregut. Por kur bëhet fjalë për mjete që burimin e kanë te lirimet tatimore, interesi i tregut nuk mund të jetë kriteri i vetëm.
Ligji për sponsorizim nuk është i dëmshëm. Përkundrazi, ka kontribuar në rritjen e nivelit të sportit kosovar. Por kjo rritje është përqendruar në një grup relativisht të ngushtë të sporteve, klubeve e individëve. Si e tillë, është rritje e paqëndrueshme, e aq më pak mund të konsiderohet që i shërben interesit të gjerë publik. Sporti e aktiviteti fizik po bëhen luks i një pjese të vogël të shoqërisë, e jo mundësi për të gjithë.
Pas gati 10 vitesh përvojë me zbatim, është koha që ky refleks tashmë i krijuar për investim privat në sport të avancojë duke iu kthyer qëllimit të vërtetë publik. Kjo nënkupton fillimisht ndryshime ligjore, e pastaj edhe në mekanizmat e zbatimit, që do ta përcaktonin qartë interesin publik, të vendosin kritere të qarta për dedikimin e fondeve dhe mekanizma përcjellës të mbikëqyrjes, transparencës e llogaridhënies.
Pyetja nuk është a duhet të financohet sporti elitar. Po, sporti elitar meriton mbështetje publike. Por vetëm si një burim shtesë, jo si burim kryesor. Jo si emocion sezonal, por si investim afatgjatë. E sidomos jo duke marrë pjesën kryesore të mbështetjes publike, dhe jo para se shoqëria jonë t’u ketë siguruar të gjithë qytetarëve kushte bazike për aktivitet sportiv dhe fizik.
Autori është ish-drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)