Sport

MKRS-ja merr “kompetencat” e kategorizimit të sporteve dhe sportistëve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur të hënën aplikimin për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve.

Kategorizimi në sport tashmë është kompetencë e plotë e MKRS-së, ndërsa deri më tani është bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Por, sipas rregulloreve që janë firmosur më 30 dhjetor të vitit 2022, kategorizimin e bën MKRS-ja. Kjo tashmë do të zbatohet.

Në komisionin për kategorizimin e sporteve do të jenë dy anëtarë të Departamentit të Sportit, dy anëtarë të Departamentit Ligjor të MKRS-së dhe një anëtar i Divizionit për Buxhet dhe Financa të MKRS-së.

Sipas rregullores, kategorizimit i nënshtrohen vetëm federatat që janë të licencuara nga MKRS-ja. Rrjedhimisht vetëm federatat e kategorizuara përfitojnë mjete financiare nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i shtetit.

Kushti për kategorizimin vetëm të federatave të licencuara që në fillim përjashton disa federata nga ky proces.

Prej 52 federatave sportive që janë në Kosovë, të licencuara nga MKRS-ja janë 36. Ndërkohë dy të tjera janë në procesin e licencimit. Pra, maksimalisht 38 federata mund të përfitojnë nga kategorizimi.

Ky numër është më i vogël se ai i federatave që ishin kategorizuar për vitin 2023. Të kategorizuar për këtë vit ishin 42 federata, 34 sportistë e 23 trajnerë.

Federatat kanë kohë deri më 29 dhjetor që të dorëzojnë dokumentacionin për kategorizim për vitin e ardhshëm.

Sportet ndahen në katër kategori, ndërsa për kategorizim përdoren kritere të ndryshme. Sportet e kategorisë A kanë përfitim më të madh financiar nga MKRS-ja. Më pak marrin sportet e kategorisë B dhe kështu me radhë. Kriteret që shfrytëzohen për kategorizim janë: organizimi i garave ndërkombëtare, rezultatet në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja , popullariteti i sportit, tradita, ngritja e kapaciteteve, aktiviteti vendor.

Në bazë të kategorizimit të fundit që e kishte bërë KOK-u, në kategorinë A ishin xhudoja, futbolli, hendbolli, volejbolli, basketbolli, karateja dhe boksi. Madje KOK-u kishte rekomanduar që xhudoja e futbolli të kenë pikë maksimale në kategorizim, pa iu përmbajtur kështu të gjitha kritereve.

Edhe sportistët e kategorizuar duhet të jenë të federatave të licencuara. Kategorizohen dhe rrjedhimisht përfitojnë përkrahje financiare nga shteti sportistët me medalje në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike, Kampionate Botërore, Lojëra Evropiane, Kampionate Evropiane, Lojëra Mesdhetare, Kampionate Mesdhetare, Kampionate Ballkanike dhe Kampionate të Kosovës. Nga KOK-u së fundi ishin kategorizuar 34 sportistë e 23 trajnerë.

Tani edhe kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve e bën MKRS-ja.

Kategorizimi i sporteve, sportistëve e trajnerëve ishte prej punëve të rëndësishme të KOK-ut, që tani nuk do të ketë kompetenca në këtë proces. Dhe kështu KOK-u mund të humbë ndikimin në disa federata, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhje.

Në fakt kategorizimi nuk është respektuar plotësisht deri më tani kur është bërë fjalë për ndarjen e buxhetit për federatat. MKRS-ja ka ndarë mjete për federata, disa të afërta me drejtues të saj, pa respektuar kategorizimin dhe me arsyetime të ndryshme.

Derisa KOK-u mund të humbë ndikimin te disa federata, MKRS-ja me marrjen e kompetencës për kategorizim vetëm sa do të forcojë ndikimin në federatat sportive. Shumë prej federatave varen plotësisht nga mjetet që marrin prej buxhetit të shtetit. Dhe në vitet e fundit kanë marrë goxha shumë.