Sport

FFK-ja e FBK-ja shtohen në kategorinë A, por mbesin prapa katër federatave të tjera

fifa

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që tashmë do të shndërrohet në Ministri të Sportit dhe Rinisë, ka publikuar të premten kategorizimin e sporteve për vitin 2026.

Për dallim nga viti i kaluar kur në kategorinë A ishin vetëm tri federata, këtë herë janë plot gjashtë. 

Pos Federatës së Xhudos, së Volejbollit dhe të Hendbollit, në kategorinë A janë edhe Federata e Karatesë e Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit e Kosovës.
FFK-ja nga shumica e njohësve të sportit llogaritet federata numër një në vend. Por jo edhe sipas kritereve për kategorizim.

Federata më e kategorizuar është ajo e Xhudos me 115,26 pikë. Për shkak të sukseseve kulmore, ka shumë vjet që Federata e Xhudos është bindshëm e para në kategorizim.

Pason Federata e Karatesë me 97,5 pikë. Vjet federata e karatesë ishte vetëm e gjashta. Federata e Karatesë e ka zhvendosur Federatën e Volejbollit nga vendi i dytë në të tretin, ndërsa Federatën e Hendbollit nga vendi i tretë në të katërtin. FVK-ja i ka 88 pikë, ndërsa FHK-ja 87,8 pikë.

Federata e Futbollit është vetëm e pesta me 85,5 pikë. Edhe vjet ishte e pesta, por në kategorinë B.

Ndërkohë Federata e Basketbollit është e gjashta me 85,3 pikë. Me 84,3 pikë, vjet ishte e katërta, por në B. Tani është në kategorinë A, ndonëse në vendin e gjashtë.

Kategorizimi përcakton përkrahjen, përkatësisht paratë që federatat marrin nga shtetit. Sa më shumë pikë dhe në kategori sa më të lartë, përkrahja është më e madhe. Por kategorizimi ka të bëjë edhe me rejtingun e sporteve në nivel vendi.

Për shumë vjet kategorizimi i federatave është bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa tani bëhet nga ministria.

Në kategorinë B është vetëm Federata e Boksit e Kosovës, Boksi i ka 83,1 pikë, pra rreth dy më pak se futbolli e basketbolli.

Në kategorinë C janë Federata e Atletikës, e Pingpongut, e Aeronautikës dhe Federata e Sportit Shkollor.

Federatat e tjera, duke përfshirë të notit dhe skijimit, janë në kategorinë D. Janë kategorizuar plot 37 federata sportive. Dhe të gjitha këto pritet të përfitojnë nga buxheti i shtetit.

Tashmë ministria e përcakton vlerën e pikës së kategorizimit. Dhe në bazë të saj përcaktohet se sa para marrin federatat sportive nga shteti.

Federatat kanë afat prej pesë ditësh që të paraqesin ankesa. KOHA ka mësuar se jo pak prej tyre pritet ta shfrytëzojnë këtë afat dhe të paraqesin faktet që, sipas tyre, meritojnë më shumë pikë se që u janë dhënë.

Të enjten MKRS-ja publikoi edhe kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve.Derisa për FFK-në të hyrat nga shteti nuk kanë ndonjë peshë, shumica e federatave e kanë burimin kryesor. Madje një pjesë e mirë e federatave funksionojnë vetëm me paratë që ndahen nga kuleta e shtetit.