Sport

Milani pret kundërpërgjigje nga Shkëndija

Trajneri Vincenzo Montella ka paralajmëruar se Milani do të përdorë vetëm tre mbrojtës në ndeshjen kthyese për kualifikim në Europa Ligë, por ka paralajmëruar ekipin se nesër do të shfaqet një Shkëndijë tjetër.

Ndeshjen e parë që zhvillua në San Siro Milani e fitoi me rezultat 6 me 0 ndërsa kthyesja zhvillohet nesër në Shkup.

“Jemi të përqendruar në Serie A dhe Europa Ligë. Nesër do të jetë Europa Ligë dhe krejt energjia jonë do të përqendrohet në këtë ndeshje”, ka thënë Montella në konferencën për media.

“Do të kemi një formacion tjetër për shumë arsye. Së pari kemi ekip të madh dhe pas ndeshjes së radhës në Serie A kundër Cagliarit shumë prej lojtarëve do të luajnë me përfaqësuese. Kur të kthehen, ne do të luajmë çdo tre ditë, prandaj rotacioni është normal”, ka shtuar ai.

“Nesër presim një ndeshje ndryshe. Shkëndija luan më mirë në shtëpi dhe ndoshta ishin të shpërqendruar nga atmosfera në San Siro derisa ne ishim më të frymëzuar. Pres tjetër ndeshje nesër”, ka theksuar Montella.

“Pres ndryshime taktike dhe Shkëndija padyshim se do të ketë vetëbesim në shtëpi. Shoh shumë arsye që të mos nënvlerësojmë takimin me ta”.