Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Milani paralajmëron Chelsean para ndeshjes së kthimit

Chelsea nuk do ta ketë aspak të lehtë ndeshjen e kthimit përballë Milanit, në kuadër të Grupit E të Ligës së Kampionëve. Kështu të paktën ka paralajmëruar trajneri i Milanit, Stefano Pioli, të hënën në konferencën për shtyp. Pioli ka insistuar se në duelin që luhet të martën në “San Siro” nga ora 21:00 do të jetë një Milan krejtësisht tjetër prej atij ekipit që u mposht javën e shkuar në Londër me shifrat 3:0.

Milani është shumë i motivuar para ndeshjes me Chelsean, duke pasur parasysh se në vikend e fitoi derbin ndaj Juventusit me rezultatin 2:0.

Pioli është i bindur se ekipi i tij do t’i kundërpërgjigjet Chelseat në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e fituar këtë ndeshje që e ka quajtur të rëndësishme për kualifikim në rundin tjetër të Championsit.

Aktualisht Milani është i treti në grup me katër pikë, sa i ka edhe Chelsea në pozitën e dytë. Grupit i prin Salzburgu me pesë pikë, që të martën luan në udhëtim ndaj Dinamo Zagrebit, që ka tubuar tri pikë pas tri ndeshjeve të luajtura. Dinamo zë vendin e fundit në grup.

Pioli ka thënë se Milani do ta ketë edhe përkrahjen e fuqishme të publikut e që do të jetë një “armë” shtesë kundër Chelseat.

“Është fantastike të luajmë para tifozëve tanë, pasi ata na japin përkrahje të madhe dhe janë armë shtesë për ekipin tonë ndaj secilit kundërshtar. Ne duam të dëshmojmë se humbja e javës së shkuar ishte vetëm e rastit dhe aspak normale. Ishim të zhgënjyer me paraqitjen në Londër dhe mund të them se jemi përgatitur deri në detajin e fundit. Kemi mësuar shumë nga ajo humbje dhe besoj se mund të luajmë shumë më mirë”, është shprehur Pioli. “Ne këtë ndeshje mund të them se do të shihni një Milan krejtësisht tjetër. Do të kemi një paraqitje të nivelit të lartë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta mposhtim një ekip si Chelsea. Nuk jam i shqetësuar aspak për shkak se kam besim në ekipin dhe jam optimist se do të shënojmë fitore. Grupi është i balancuar, por ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje për të bërë një hap përpara”.

Mesfushori Charles De Ketelaere mungon në këtë ndeshje për shkak të lëndimit, ndërsa Junior Messias është stërvitur të hënën me ekipin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Chelsean. Ndërkohë në dispozicion të Piolit nuk janë as Mike Maignan, Simon Kjaer, Zlatan Ibrahimoviq, Alessandro Florenzi, Dacide Calabria e Alexis Saelemaekers.

Chelsea para ndeshjes së kthimit është paralajmëruar edhe nga ish-futbollisti i skuadrës angleze, mbrojtësi Fikayo Tomori. Ai ka thënë se paraqitja e Milanit javën e shkuar në Londër nuk është fytyra e vërtetë e ekipit, i cili u rikthye fuqishëm në Serie A. Tomori tha se të gjithë në ekip janë të motivuar dhe të vendosur që tifozëve të Milanit t’ua kompensojnë me fitore dëshpërimin që e përjetuan në stadiumin “Stamford Bridge” në Londër.

“Pas humbjes në Londër të gjithë ishim të zhgënjyer dhe të inatosur, pasi nuk e shfaqëm lojën tonë më të mirë. Mirëpo, tani e kemi rastin ta tregojmë veten dhe t’i gëzojmë tifozët me një fitore të rëndësishme në Champions. E kemi parasysh se do të jetë një ndeshje e fortë, pasi Chelsea ka ekip të mirë, por këtë herë në fushë do të jetë një Milan tjetër, më i vendosur për fitore”, është shprehur Tomori. “Do ta dëshmojmë se jemi ekip shumë më i mirë se në Londër dhe jemi gati për duelin e kthimit. E kemi analizuar mirë lojën e parë dhe nuk besoj se do t’i bëjmë të njëjtat gabime sikurse në Londër”.

Edhe te Chelsea do të ketë mungesa për ndeshjen e kthimit. Në stërvitjen e së hënës munguan Wesley Fofana, N’Golo Kante e Hakim Ziyech. Trajneri i Chelseat, Graham Potter, e ka parasysh se ekipin e tij nuk e pret aspak punë e lehtë në “San Siro”. Ai ka thënë se presioni është te Milani, por ka insistuar se Chelsea do ta kërkojë fitoren edhe në ndeshjen e dytë.

“Milani do të përpiqet ta kompensojë humbjen në Londër dhe këtë e kemi parasysh. Mirëpo synimi ynë është ta fitojmë edhe këtë ndeshje për shkak se na duhen pikët për të mbetur në garë për ta kaluar fazën e grupeve. Kështu që do të luftojmë deri në fund për tri pikët për shkak se jemi të vendosur për ta shënuar edhe fitoren e dytë këtë edicion në Champions”, është shprehur Potter. “Po ashtu e kemi parasysh se na pret një ndeshje e vështirë dhe një atmosferë tejet e nxehtë në ‘San Siro’, që është një stadium ikonik. Jemi gati për t’i përballuar edhe këta 90 minuta tejet të rëndësishëm për ekipin tonë. Sigurisht se presioni është mbi Milanin, pasi luan në shtëpi dhe dëshiron të kthehet te fitorja”.

E martë

Grupi E

Milan – Chelsea (21:00)

Dinamo Z. – Salzburg (21:00)
 

1. Salzburg 3 5

2. Chelsea 3 4

3. Milan 3 4

4. Dinamo Z. 3 3

Grupi F

Celtic – Leipzig (21:00)

Shakhtar D. – Real Madrid (21:00)

1. Real Madrid 3 9

2. Shakhtar D. 3 4

3. Leipzig 3 3

4. Celtic 3 1

Grupi G

Copenhagen – Man. City (18:45)

Borussia D. – Sevilla (21:00)

1. Man. City 3 9

2. Borussia D. 3 6

3. Sevilla 3 1

4. Copenhagen 3 1

Grupi H

Maccabi H. – Juventus (18:45)

PSG – Benfica (21:00)

1. PSG 3 7

2. Benfica 3 7

3. Juventus 3 3

4. Maccabi H. 3 0

Artikuj të ngjashëm