Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

City e Chelsea shpresojnë në përmbysjen e madhe

Chelsea

Dy prej skuadrave të mëdha të futbollit anglez, Manchester Cityn e Chelsean, i pret punë shumë e vështirë në përpjekje për të bërë vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Të mërkurën e kaluar City pësoi 3:0 në “Santiago Bernabeu” nga Real Madridi, ndërsa Chelsea humbi 5:2 në “Parkun e Princave” nga Paris Saint-Germaini.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshjet e kthimit të një të tetës së finales, Manchester City dhe Chelsea i luajnë të martën prej orës 21:00.

Përmbysja e rezultatit me tre gola dallim nuk ndodh shpesh në futboll. Për më tepër ndaj skuadrave si Madridi dhe PSG.

Madridi është rekordmen për tituj të Evropës, ndërsa Parisi është fitues në fuqi i Championsit.

Por anglezët shpresojnë.

“Shumë gjëra mund të ndodhin në lojën e futbollit. Edhe pse rezultati në ndeshjen në Madrid ishte shumë i keq, ne do të luftojmë deri në fund”, ka thënë të hënën kapiteni i Manchester Cityt, Bernardo Silva.

“Nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos pas një jave. Zakonisht pas një humbje të rëndë ju ndieni që çdo gjë është e errët. Më pas bëhet më mirë. Ndonëse java e kaluar ishte e keqe për në, ne e dimë se çka mund të bëjmë”, ka shtuar Silva.

Chelsea ia doli të shënoi dy gola në Paris, por i pësoi plot pesë. Madje dy të fundit i pranoi në minutën e 86-të dhe të 94-t.

“Jemi dënuar nga lojtarë shumë të mirë për shkak të gabimeve tona. Nuk mund të bëjmë gabime nesër. Duhet ta kemi të qartë që Parisi është kampion evropian për një arsye, por ne e dimë që mund të garojmë”, ka theksuar trajneri i Chelseat, Liam Rosenior.

Ai nuk mund të llogarisë në kapitenin e skuadrës, Reece James, që ka një lëndim të hamstringut.

“Kjo javë ishte e rëndë për ne. Por e dimë forcën tonë dhe ende besojmë për shkak të asaj që kemi treguar në finalen e Botërorit për klube, ku kemi fituar 3:0. Grupi beson, trajneri beson dhe tifozët duhet të besojnë po ashtu”, ka thënë Joao Pedro, sulmues i Chelseat.

Parisienët kanë udhëtuar në Londër për fitore tjetër.

“Mentaliteti ynë është që gjithnjë të fitojmë ndeshjet. Nuk mund të jemi në fushën tonë dhe vetëm të llogarisim në epërsinë që e kemi. Ne do të sulmojmë dhe do të tentojmë të fitojmë”, ka thënë sulmuesi i PSG-së, Ousmane Dembele. Ai megjithatë pranon se Chelsea ka cilësi.

“Duhet të qëndrojmë të fokusuar. Kundërshtari është cilësor dhe klub i madh. E dimë që do të jetë vështirë herë pas here dhe duhet të jemi të gatshëm për të vuajtur. Por edhe vjet, kur e fituam Ligën e Kampionëve, kemi pasur disa momente të vështira”, ka shtuar Dembele.

Prej orës 18:45 është ndeshja mes Sportingut dhe Bodo/Glimtit.

Skuadra norvegjeze e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 3:0.

Ndërkohë prej orës 21:00 është edhe ndeshja në mes të Arsenalit dhe Bayer Leverkusenit. Ndeshja në Gjermani kishte përfunduar 1:1.