Te skuadra e Arsenalit besojnë në rikthim të madh në sfidën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Arsenali e humbi 1:0 ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Paris Saint-Germainit. Për më tepër ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin “Emirates” në Londër.
Ndeshja e kthimit është të mërkurën prej orës 21:00 në “Parkun e Princave” në Paris.
Ousmane Dembele kishte shënuar golin e vetëm për parisienët në ndeshjen e parë. Në atë ndeshje Dembele ishte lënduar dhe ishte në dyshim për takimin e kthimit. Por ylli francez pritet të jetë gati.
Ky nuk është lajm i mirë për “topçinjtë” dhe trajnerin Mikel Arteta. Por Arteta mbetet optimist.
“Jemi këtu për të bërë histori. Jemi një fitore larg finales. Le të flasim në fushën e lojës”, ka thënë Arteta të martën mbrëma në konferencë për shtyp.
Sipas tij, rezultati e bën të qartë se çka duhet të bëjnë skuadrat në fushë.
“Për ne është edhe më e qartë. Ne e dimë çka duhet të bëjmë e po ashtu çka mund të bëjmë. Trofetë fitohen duke qenë në momentin e duhur në vendin e duhur”, ka vazhduar Arteta.
Në çerekfinale, Arsenali shkëlqeu duke fituar dy ndeshjet ndaj Real Madridit, kampionit të edicionit të kaluar. Por londinezëve u mungoi shkëlqimi në gjysmëfinalen e parë me Parisin.
“15 minutat e parë të ndeshjes së parë dhe goli i hershëm i pranuar na shokuan. Por jemi shumë pozitivë se mund të bëjmë diçka këtu. Kemi besim të plotë si grup. Nëse jemi versioni më i mirë i vetes, mund të jemi të suksesshëm”, ka thënë mesfushori i Arsenalit, Declan Rice.
Ai ka thënë se Arsenali shkëlqen në “ndeshjet e mëdha” dhe se këtë është gati ta bëjë sërish.
Arsenali në fundajvë pësoi 2:1 nga Bournemouthi. Në Premier League, ekipi londinez është në garë për ta ruajtur pozitën e dytë. I ka tri pikë më shumë se Manchester City i vendit të tretë.
Por dukshëm më e rëndësishme për ekipin anglez është gara në Champions.
Parisi shumë më herët ka siguruar titullin në Francë, ndërsa ndeshjet kampionale më nuk po i merr me shumë seriozitet.
Parisi nuk kishte humbur në 30 ndeshje rresht në kampionat, por pësoi në dy të fundit. Kjo dëshmon që skuadra e Luis Enriques e ka gjithë fokusin te sfida me Arsenalin.
Enrique ka folur në konferencë për shtyp për Dembelen.
“Ai ishte në stërvitje me grupin e lojtarëve në dy ditët e fundit. E kam në dispozicion për ndeshjen e nesërme”, ka thënë trajneri i Parisit.
Enrique pret që Arsenali të sulmojë nga fillimi i ndeshjes. Por thotë se skuadra e tij është gati që të vuajë.
“Duhet të përsërisim paraqitjen e ndeshjes së parë, aq sa është e mundur kjo. Duam ta fitojmë ndeshjen e kthimit dhe t’iu përmbahemi ideve tona”, ka shtuar Enrique.
Ai sërish ka folur me respekt për Artetan, me të cilin ka luajtur së bashku. Ka thënë se ishte lojtar i madh dhe tani është trajner i madh.
“I dëshiroj çdo të mirë, por jo për ndeshjen e nesërme”, ka thënë Enrique.
Parisi e Arsenali e kërkojnë titullin e parë evropian. Arsenali e humbi finalen e vitit 2006, ndërsa Parisi e humbi finalen e vitit 2020. Të dy skuadrat fillimisht e duan finalen e dytë.
“Mendoj se ekipi është gati dhe mezi presim të fillojmë ndeshjen. Duam të tregojmë dëshirën që e kemi për kualifikim në finale. Atmosfera në stadium do të jetë e jashtëzakonshme. Duam që te tifozët të dërgojmë një mesazh të qartë. Do të japim çdo gjë për ta, për t’i bërë ata krenarë. Ka pasur periudha të vështira dhe tifozët ishin vazhdimisht pas nesh. Kështu që ata e meritojnë kualifikimin në finale”, ka thënë Achraf Hakimi, mbrojtësi i PSG-së.
Finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në Munih më 31 maj.