Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll është duke u përgatitur në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali për ndeshjen kundër Anglisë U-21.
Ndaj Anglisë, Kosova do ta luajë ndeshjen e dytë të Grupit G në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian të vitit 2023. Ndeshjen ndaj Anglisë e luan më 7 shtator, ndërsa të martën Kosova U-21 është stërvitur vetëm me një mungesë. Por Veton Tusha do të jetë nën urdhrat e selektorit Michael Nees që nga dita e mërkurë dhe do të jetë gati për ndeshjen kundër anglezëve.
Stërvitja e së martës është mbajtur më e kompletuar dhe më e gjatë, ndërsa grumbullimi është bërë të hënën. Edhe të hënën, Kosova mbajti një stërvitje të shkurtër.
Ciklin kualifikues për “Euro 2023”, Shpresat e Kosovës e kanë nisur me fitore 2:0 ndaj Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas ndeshjes ndaj Anglisë, Kosova do t’i luajë dy ndeshje në tetor kundër Çekisë, ndërsa ndeshjen e fundit për këtë vit e luan në Prishtinë kundër Shqipërisë më 16 nëntor.
Kosova në Grupin G është bashkë me Shqipërinë, Anglinë, Çekinë, Slloveninë dhe Andorrën.