Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll të martën i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2023, që do ta ketë ndaj Andorrës më 8 qershor.
Seanca e parë stërvitore është mbajtur në Kampion Edukativ Nacional në Hajvali.
Përzgjedhësi Michael Nees ka pasur në dispozicion 21 lojtarë nga 31 sa janë në listën e gjerë.
Sipas njoftimit të FFK-së, pjesa tjetër e futbollistëve do t’i bashkohen ekipit në ditët e ardhshme, pasi t’i kryejnë obligimet në klubet e tyre.
Më pas lista e futbollistëve do të reduktohet në 24 lojtarë, të cilët do t’i vazhdojnë përgatitjet intensive për duelin kundër Andorrës.
Disa prej futbollistëve janë për herë të parë pjesë e përfaqësueses U21, prandaj ky grumbullim do t’u mundësojë që të ambientohen me grupin dhe ta njohin më mirë njëri-tjetrin.
Futbollisti Veton Tusha, është shprehur shumë i kënaqur që është pjesë e grumbullimit me Kosovën U21.
Edhe
Selektori i Kosovës U21 publikon listën për duelin ndaj Andorrës
Tusha, që luan te Denizlispori në Turqi, beson që ndaj Andorrës do ta ndihmoi Kosovën. Ai kishte shënuar në miqësoren ndaj Katarit.
Ndeshja kundër Andorrës do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 8 qershor.
Stërvitjen e radhës Kosova U21 do ta zhvillojë të mërkurën nga ora 11:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.