Sport

Optimizëm te shpresat në prag të ndeshjeve të rëndësishme

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll i ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2025”. Kosova këtë muaj do t’i zhvillojë dy ndeshje kualifikuese. Të premten do të përballet me Bullgarinë, ndërsa më 21 nëntor me Izraelin

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani nuk ka dashur të komentojë për rezultat. Por ai ka theksuar se ekipi i tij do të japë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv.

Tovërlani ka ftuar 23 futbollistë për këto dy ndeshje.

“Na mungojnë Andi Hoti, Arbnor Hasani dhe Milot Abdyli, që kanë qenë herën e kalueme, por kjo është mundësi për lojtarët e tjerë që kanë ardhur për të treguar veten. Atmosfera është shumë e mirë. Këta që e duan tokën dardane kanë ardhur me vullnet e dëshirë që të përgatitemi për dy ndeshjet e radhës, e të cilat asnjëherë nuk janë të lehta. Me Bullgarinë luajtëm edhe para tri javësh dhe krejt në fund na u barazua rezultati. Po mendoj se edhe kësaj here gjasat janë të mira, pa i nënçmuar, por këto nuk janë sikurse Gjermania dhe Polonia”, ka theksuar Tovërlani.

Optimist për rezultate pozitive në këto dy ndeshje është shprehur edhe Veton Tusha.

“Shumica e lojtarëve janë që kanë qenë edhe në grumbullimet e kaluara, por kanë ardhur edhe disa lojtarë të rinj. Shpresoj do të kemi sukses në këto dy ndeshje. Kundër Bullgarisë në ndeshjen e parë na mungoi fati pasi e dominuam lojën, teksa ndikoi edhe kartoni i kuq. Besoj se këtë ndeshje do t’i marrim pikët e plota, sepse jemi edhe më të përgatitur por edhe më të motivuar”, ka thënë Tusha.

Kosova është në vendin e katërt me katër pikë nga katër ndeshje. Polonia është lidere me nëntë pikë nga tri ndeshje, derisa Gjermania në vendin e dytë me gjashtë pikë nga dy ndeshje. Estonia është me një pikë, derisa Izraeli pa pikë. Izraelitët kanë luajtur vetëm një ndeshje.