Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shpresat fillojnë përgatitjet për ndeshjen me Bullgarinë

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll ka nisur të hënën përgatitjet për ndeshjen me Bullgarinë. Ndeshja Bullgari – Kosovë zhvillohet më 17 tetor në Sofje. I takon kualifikimeve për Euro 2025. Të hënën në stërvitjen e parë nën urdhrat e selektorit Afrim Tovërlani ishin 17 futbollistë.

Grupi i lojtarëve do të kompletohet vetëm të mërkurën.

“Gjendja nuk është e keqe por as më e mira jo. I kemi tri mungesa të rëndësishme: Liridon Emërllahu, Elvis Letaj dhe Florian Haxha, që për një kombëtare si Kosova nuk është e lehtë t’i zëvendësosh. Por, atyre që do t’u jepet rasti duhet ta shfrytëzojnë. Bullgaria është një kundërshtare që nuk mund të themi se është sikur Gjermania dhe Polonia, por nëse nuk i kryejmë detyrat me shumë disiplinë e angazhim mund të pësojmë edhe më keq”, ka thënë Tovërlani për sajtin zyrtar të FFK-së. Në shtator, Kosova pësoi 3:0 nga Polonia e me rezultat të njëjtë edhe nga Gjermania. “Mendoj se kundër bullgarëve e kemi më lehtë të përballemi sesa ndaj dy kundërshtarëve paraprakë, të cilët janë favoritë të grupit. Duhet të përgatitemi në mënyrën më serioze pavarësisht emrit të kombëtares kundërshtare. Sigurisht se në këtë ndeshje do ta ndryshoj edhe sistemin e lojës, ngase kundër gjermanëve kam qenë i detyruar të luajmë në mbrojtje sepse niveli i tyre ishte shumë më i lartë“, ka shtuar Afrim Tovërlani. Bullgaria U21 ka barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Estonisë dhe ka fituar 1:0 ndaj Izraelit.