Te Përfaqësuesja U21 e Kosovës ka optimizëm të madh për fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”. E triumfin e dytë, Kosova po e synon ndaj Bullgarisë, me të cilën do të përballet në ndeshjen e Grupit D kualifikues. Dueli mes Kosovës dhe Bullgarisë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë dhe nis në orën 13:00. Të enjten një ditë para ndeshjes, “Dardanët” e rinj kanë mbajtur stërvitjen e fundit dhe optimizmi ishte i madh për fitore ndaj Bullgarisë. Deri më tani, Kosova ka zhvilluar katër ndeshje në këto kualifikime dhe renditet e katërta në grup me po aq pikë të mbledhura. Ka një fitore, një barazim dhe dy humbje në katër ndeshje të luajtura deri më tani. Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka insistuar se ka analizuar dhe ka identifikuar pikat kryesore të Bullgarisë, me të cilën Kosova U21 barazoi 1:1 muajin e shkuar në Sofje. Në stërvitjet e fundit, Tovërlani ka punuar në aspektin taktik dhe motivues, ndërsa pavarësisht mungesave në skuadër, Kosova ndaj Bullgarisë do të futet për tri pikë. Bullgaria renditet e treta me pesë pikë, një më shumë se Kosova.
“Kundërshtarin e njohim, sepse ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar ndaj tyre në Bullgari. E dimë cilat janë pikat kryesore në dy repartet, sulm dhe mbrojtje, futbollisti kryesor i tyre është Nikollov, i cili luan si sulmues dhe njëherësh është futbollisti më i rrezikshëm, çka do të thotë se ne duhet të kemi më shumë kujdes ndaj tij. Gjithmonë hyjmë për fitore, unë asnjëherë nuk flas për rezultate, prandaj më mirë do ta presim fundin e ndeshjes”, theksoi Tovërlani.
Atmosfera brenda ekipit është tejet e mirë, ndërsa futbollistët janë më të motivuar se kurrë për ta mposhtur Bullgarinë. Kështu ka insistuar Veton Tusha, i cili ka thënë se më përkrahjen e shikuesve dhe angazhimin maksimal të lojtarëve në fushë, Kosova do të shënojë fitore.
“Edhe pse kemi pasur pak ditë për stërvitje gjithçka ka shkuar mirë dhe të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin. Nuk kemi qenë kurrë më të motivuar se këto ditë dhe gjithçka po shkon mirë. Atmosfera është shumë e mirë, kanë ardhur disa futbollistë të rinj, por shumë shpejt janë përshtatur me grupin. Në këtë ndeshje ne e njohim më mirë kundërshtarin, por edhe ata na njohin më mirë për shkak të ndeshjes së kaluar që kishim, shpresojmë se do ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe ne do ta japim maksimumin brenda në fushë”, shtoi Tusha.
Në këtë grumbullim, krahas mungesave, përzgjedhësi Tovërlani ka ftuar edhe lojtarë të rinj. Valton Behrami është njëri prej tyre, që është për herë të parë pjesë e Kosovës, ndërsa ka konfirmuar optimizmin e të gjithë ekipit për triumf në duelin e së enjtes.
Edhe
Optimizëm te shpresat në prag të ndeshjeve të rëndësishme
““Për mua kjo është hera e parë që jam pjesë e Kosovës U21 dhe jam shumë i kënaqur me kombëtaren dhe qysh kam pritur ka qenë edhe më mirë. Nesër shpresoj në fitore. Ne luajmë vetëm për fitore, kundërshtari është i fortë fizikisht, por nesër do të hyjmë në fushë sikur të hyjmë në luftë dhe do të arrijmë fitoren. Dardanët i ftoj të na përkrahin në stadium. Ne jemi të rinjtë të cilët do të luajmë për Kombëtaren A. Ata na japin kurajë dhe fuqi për të fituar. Nesër ne luajmë edhe për Dardanët, jo vetëm për vete”, u shpreh Behrami.
Pak ditë pas përballjes me Bullgarinë, Kosova U21 do ta luajë edhe ndeshjen tjetër në kuadër të këtyre kualifikimeve. Të martën do të përballet me Izraelin, po ashtu në Podujevë. Pjesë e grupit të Kosovës janë edhe Polonia, Gjermania e Estonia. Grupit i prin Polonia me 9 pikë, e ndjekur nga Gjermania me 6, ndërsa Estonia e Izraeli janë në dy pozitat e fundit, me një, përkatësisht pa pikë.