Futboll

Tovërlani: Synojmë kualifikimin historik

Afrim Toverlani

Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, ka thënë se fokusi është te ndeshja e parë e ciklit të ri kualifikues për Evropian. Ndeshjen e parë Kosova U21 e luan kundër Rumanisë në udhëtim, të premten. Ndeshjen e dytë “Dardanët’ e rinj e kanë më 9 shtator kundër Spanjës në Prishtinë.

“Do të mendojmë për Rumaninë, jemi duke u përgatitur për mënyrën se si do t’i qasemi. Spanja dhe Rumania janë favorite të grupit, por ne do të mundohemi të nxjerrim rezultat. Ato janë favorite, por ne nuk dorëzohemi ndaj askujt”, ka thënë Tovërlani në konferencë për media të mërkurën.

Kosova U21 i filloi të hënën përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2027 qe mbahet në Shqipëri e Serbi.

Tovërlani ka theksuar se Kosova synon të jetë pjesë e Evropianit të shumëpërfolur.

“Synimi ynë është që të arrijmë kualifikimin historik, por gjithçka duhet ta demonstrojmë dhe ta tregojmë brenda fushës së gjelbër”, ka theksuar Tovërlani.

Edhe futbollisti Hekuran Berisha ka thënë se synohet rezultat pozitiv ndaj Rumanisë.

“Grupin e kemi shumë të mirë. Në fushë jemi më të kuptueshëm për të zbatuar urdhrat e trajnerit. Shpresoj në rezultate pozitive ndaj Rumanisë dhe Spanjës. Fokusi është ndaj Rumanisë ku shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë Berisha.

Në grup me Kosovën, Rumaninë, Spanjën janë edhe Finlanda, Qiproja dhe San Marino.