Futboll

Kosova U21 synon fitore ndaj Qipros

Kosova U-21

Kosova U21 synon fitoren e dytë rresht në kualifikimet për Evropianin e vitit 2027. 

Pas fitores së thellë 7:0 ndaj San Marinos në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë muajin e kaluar, Kosova U21 tani synon edhe fitore ndaj Qipros. 

Ndeshja Qipro U21 – Kosova U21 luhet të premten nga ora 18:00. 

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka thënë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës se janë bërë të gjitha përgatitjet për rezultat pozitiv. 

“Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe do të jetë edhe më e mirë pas ndeshjes, nëse arrijmë rezultat pozitiv. Fatkeqësisht, gjatë këtyre ditëve Edion Gashi ka pësuar një lëndim dhe është detyruar të kthehet në Gjermani. Megjithatë, ekipi është i fokusuar dhe i motivuar për sfidën e nesërme”, ka deklaruar Tovërlani.

Të motivuar për fitore janë shprehur edhe Igball Jashari, Hekuran Berisha e Julind Selmonaj. 
Kosova me katër pikë në tri ndeshje është e katërta në Grupin A kualifikues për Evropianin U21 që pas dy viteve organizohet në Shqipëri dhe Serbi. 

Qiproja dhe San Marino në dy pozitat e fundit janë pa pikë. 

Spanja i prin grupit me nëntë pikë, dy më shumë se Rumania e dyta dhe tri më shumë se Finlanda e treta.