Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shpresat gati për ndeshjen e rëndësishme kundër rumunëve

Shpresat gati për ndeshjen e rëndësishme kundër rumunëve

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll, të premten mbrëma do ta luajë ndeshjen e rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe Serbi.

“Dardanët” e rinj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e presin ekipin U21 të Rumanisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja Kosovë U21 – Rumani U21 zhvillohet nga ora 19:00. Hyrja për të përcjellë këtë ndeshje nga afër është falas.

Te Kosova kanë kërkuar përkrahjen e shikuesve për t’i mposhtur rumunët.

Ndeshja ndaj Rumanisë dhe Spanjës më 31 mars në udhëtim përcakton “fatin” e Kosovës U21 në këtë cikël kualifikues.

Spanja është lidere me 15 pikë, kurse Finlanda zë vendin e dytë me 13 pikë.

Kosova është në vendin e tretë me tetë pikë.

Rumania është e katërta me shtatë pikë, derisa në pozitën e parafundit është Qiproja me tri pikë. San Marino është në vendin e fundit, pa pikë.

“Është dita e katërt dhe e fundit para ndeshjes ndaj Rumanisë. Kemi pasur mundësi për t’u përgatitur për këtë ndeshje. E dimë që është ndeshje shumë me rëndësi dhe e vështirë për ne. Kemi punuar taktikisht për fazën defenzive dhe ofensive. Punën që kemi bërë gjatë këtyre katër ditëve shpresoj t’i praktikojmë nesër në lojë kundër Rumanisë”, ka thënë Kryeziu të enjten për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ndeshja ndaj rumunëve për Kryeziun do të jetë debutuese në krye të “Dardanëve”.

Ai ishte ndihmës i Tovërlanit. Por pas largimit të Tovërlanit, FFK-ja ia besoi Kryeziut punën tek ekipi U21 i Kosovës.

“E respektojmë Rumaninë si kundërshtar, por për mua është me rëndësi që të mos lejojmë presion, por me shumë vetëbesim të hyjmë në ndeshje dhe të mundohemi të nxjerrim maksimumin”, është shprehur Kryeziu.

Gjasat për fitore i shohin edhe lojtarët e Kosovës, Indrit Mavraj dhe Arianit Hasani.

“Kemi kaluar shumë mirë me trajnerin e ri në këtë grumbull e po ashtu edhe me lojtarët e rinj. Të tjerët i njohim shumë mirë. Atmosfera është shumë e mirë. Unë jam krenar që luaj për Kosovën. Jam i lumtur që do ta kem rastin të luaj ndaj Rumanisë. Shpresoj të kemi rezultat pozitiv, uroj me fitore”, ka thënë Mavraj.

Hasani shpreson po ashtu në pikët e plota.

“Është stërvitja e fundit para ndeshjes ndaj Rumanisë. Ka shkuar gjithçka mirë. Atmosfera është shumë e mirë dhe uroj t’i fitojmë pikët e plota”, ka thënë Hasani.

Përgatitjet për ndeshjen kundër Rumanisë dhe Spanjës, Kosova i nisi të hënën në Hajvali.