Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka miratuar njëzëri rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare, sipas të cilave Lista Studentore “Studentët Fitojnë” ka fituar 140 mandate, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka siguruar 103 mandate, raportoi të enjten televizioni publik serb.
Sipas rezultateve të miratuara, Lista Studentore ka marrë 2.354.417 vota, ndërsa lista e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq ka fituar 1.731.323 vota.
Në Kuvendin e Serbisë do të përfaqësohen edhe shtatë deputetë nga listat e pakicave.
Lista “Ivica Daçiq – Faktori i Stabilitetit” ka marrë 94.766 vota, por nuk ka siguruar asnjë mandat.
Nga listat e tjera, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës ka fituar 35.461 vota dhe dy mandate, ndërsa Koalicioni Shqiptar ka siguruar 26.783 vota dhe dy mandate.
Edhe
Në Kosovë mirëpritet humbja e Vuçiqit, ka paqartësi për Listën e Studentëve
Nga një mandat kanë fituar listat e Rasim Lajiqit, me 20.638 vota, Usame Zukorliqit, me 12.440 vota, si dhe SDA – Ruajtësit e Sanxhakut, me 12.549 vota.
Listat e tjera zgjedhore nuk kanë arritur të sigurojnë mandate parlamentare.
Me miratimin e rezultateve përfundimtare kanë nisur të rrjedhin edhe afatet ligjore për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë.
Sipas ligjit, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve duhet t'ua ndajë mandatet kandidatëve për deputetë brenda dhjetë ditësh nga publikimi i raportit të përgjithshëm për rezultatet e zgjedhjeve.
Edhe
Rashiq: Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe duhet të largohet nga politika
Seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet jo më vonë se 30 ditë nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Mandatet e deputetëve konfirmohen në seancën e parë, ndërsa me konfirmimin e mandateve të së paku dy të tretave të deputetëve, konsiderohet i konstituuar legjislativi i ri.
Afati për formimin e qeverisë së re është 90 ditë nga konstituimi i Kuvendit të Serbisë.