Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna njofton arritjen e marrëveshjes: Punëtorët teknikë rifillojnë punën javën tjetër

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është arritur marrëveshje me Sindikatën dhe se puna e punëtorëve teknikë në shkolla pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme. 

Komuna ka njoftuar se veprimet e nevojshme administrative janë ndërmarrë dhe se pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë të martën. 

Komuna ka bërë të ditur se deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”. 

“Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit. Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme”, thuhet në njoftimi e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë. 

Njoftimi vjen pasi në dy shkolla në Prishtinë, “Ismail Qemali” dhe “Mehmet Gjevori”, u paralajmërua bojkoti i mësimit të premten shkaku i papastërtisë. 

Punëtorët teknikë të disa shkollave të mesme dhe fillore në kryeqytet, qysh në ditën e parë të shtatorit kanë nisur grevën për shkak të mospagesave fillimisht dhe kërkesës që të respektohet paga minimale. Ata kishin thënë se ajo do të ndërpritet vetëm kur të përmbushen të gjitha obligimet ndaj tyre nga Komuna e Prishtinës.