Mjekiqi: I lutem Zotit që të mos jetë dimër i vështirë se do të kemi problem me energjinë
Situata me energjinë elektrike është përmendur edhe në Raportin e Progresit për Kosovën ku është potencuar se nuk ka pasur investime të mjaftueshme në kë të fushë.
Për këtë, eksperti i fushës së energjisë, Rasim Mjekiqi ka thënë se uron që të këtë vit të mos jetë dimër i vështirë sepse përndryshe qytetarët e vendit do të kenë problem sërish me energjinë elektrike.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se energjia elektrike është vitale për një shtet, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik.
“Si do ta kemi dimrin nuk e di por në një mënyrë i lutem Zotit që mos të jetë dimri i vështirë. Nëse ky dimër vetëm 20-30 ditë merr dimër i vështirë atëherë ne do të kemi problem të madh me përdorimin e energjisë elektrike. Ne verës nuk e kemi problemin e energjisë elektrike sepse nuk kemi shpenzim për ngrohjen qendrore. Ngrohja qendrore është problemi kryesor gjatë dimrit pse ne e kemi këtë ngulfatje”, ka thënë Mjekiqi.
Shqetësuese në Raportin e Progresit është pasqyruar gjendja në fushën e energjisë, ku ka pasur progres vetëm të limituar dhe kjo, sipas Komisionit Evropian, vazhdon të jetë pengesë e madhe për rritjen ekonomike të Kosovës.