Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Një shkollë në kryeqytet e bojkoton mësimin shkaku i bërllokut

Shkolla

Përderisa punëtorët teknikë vazhdojnë grevën për paga, pastrimin e shkollave e kanë marrë përsipër prindërit, mësimdhënësit dhe vetë nxënësit. Në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, mungesa e tyre tash e shtatë javë ka ngritur shqetësime për higjienën dhe shëndetin e fëmijëve. Pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Komunës së Prishtinës dhe Sindikatës së Sektorit Privat, prindërit e shkollës “Ismail Qemali” kanë vendosur ta bojkotojnë mësimin të premten, në shenjë pakënaqësie me gjendjen e krijuar

Nxënës, prindër dhe mësimdhënës u angazhuan të enjten në pastrimin e shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë, në mungesë të punëtorëve teknikë, të cilët tash e shtatë javë janë në grevë.

Prindërit, të cilët nuk pranuan ta tregojnë identitetin, i thanë KOHËS se gjendja në shkollë është shqetësuese. 

Ata shprehën edhe drojën për rrezikun e përhapjes së infeksioneve te fëmijët, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së higjienës.

Edhe nxënësit treguan se në fund të orëve mësimore angazhohen për pastrimin e klasave, ndërsa në disa raste u kanë dalë në ndihmë edhe prindërit.

“Zakonisht çdo ditë kur kryhet mësimi, kujdestarja na thotë krejt bërllokun me e mbledh që e kemi bërë në klasë, ta gjuajmë në bërllok dhe bërllokun me e çu te kontejnerët”, ka thënë një nxënës

“Prindërit vijnë nganjëherë. Nuk vijnë gjithherë, veç kur ju thotë kujdestarja”, ka treguar një tjetër nxënës.

Merita Haxhiu, e cila është drejtoreshë e shkollës, ka thënë se për të shmangur rrezikun e përhapjes së virozave dhe alergjive, në pastrimin e shkollës janë angazhuar edhe mësimdhënësit dhe nxënësit.

“Ne si shkollë falënderojmë së pari stafin që bashkë me drejtorinë, me nxënësit i kemi kapur edhe ne veglat për pastrim vetëm e vetëm me i ikë situatave me viroza, të sëmundjeve të alergjive, sigurisht për të krijuar një ambient të pastër dhe të sigurt për fëmijë. I falënderojmë po ashtu prindërit, të cilët kanë marrë iniciativa vetanake me ardhë me e pastru shkollën, edhe nxënësit kanë qenë shumë njerëzorë duke i mbledhur mbeturinat aq sa kanë pasur mundësi. Situata është kështu e tillë në shkollë, por kam frikë që mund të bëhet alarmante për shkak të shëndetit të fëmijëve”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë ditës, përfaqësues të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, pas të cilit, është njoftuar se kërkesa për zbatimin e pagës minimale është aprovuar. 

Megjithatë, pakënaqësitë për gjendjen e krijuar kanë bërë që Këshilli i Prindërve i SHFMU-së “Ismail Qemali” të vendosë për bojkotimin e plotë të procesit mësimor të premten, më 6 nëntor.

Në njoftimin e tyre thuhet se ky vendim është marrë si reagim ndaj mungesës së garancive konkrete për sigurimin e një ambienti të pastër dhe të sigurt për nxënësit.