Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

OVL-UÇK me aksion para zyrës së BE-së: Që 6 vjet po tradhtohet besimi në drejtësi

OVL - UÇK - protesta

Foto: Driton Paçarada

Sot janë bërë 6 vjet prej kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për t’u transferuar më pas në Qendrën e paraburgimit në Hagë. Një ditë më herët, ishte arrestuar edhe Jakup Krasniqi. Në këtë përvjetor, përfaqësuesit e organizatave të kategorive të dala nga lufta, zhvilluan aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian, ku shprehen pakënaqësitë për punën e kësaj gjykate

Përfaqësuesit e organizatave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së kanë zhvilluar të enjten aksion simbolik para zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shprehur pakënaqësi me punën e Gjykatës Speciale në Hagë.

Banerat me mbishkrimet “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën!” dhe “Evropë, u bënë 6 vjet që po e tradhton besimin e Kosovës në drejtësinë tënde!”, u vendosën në hyrje të zyrave të BE-së në Prishtinë.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmoreve, Xhavit Jashari, tha se gjithçka u ngrit mbi të pavërteta.

“Ky aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian është i qartë se pikërisht në bazë të raportit të Dick Martyt, në bazë të shpifjeve të raportit të Dick Martit dhe rezolutës së Këshillit të Evropës, është krijuar një komision që është marrë dhe me hetimet e atyre pretendimeve që nuk kanë rezultuar dhe nuk është faktuar asgjë për çka janë akuzuar krerët. Dhe e kemi thënë edhe më herët që, meqenëse nuk është faktuar asgjë nga ajo që është sajuar nga raporti i Dick Martyt, kjo gjykatë është dashur të jetë inekzistente”, tha Jashari.

Jashari bëri thirrje për deputetët dhe institucionet që të angazhohen për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Edhe Aksioni simbolik i veteranëve - “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën” Arbëri Aksioni simbolik i veteranëve - “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën”

E, kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës, Hysni Gucati, shprehu pakënaqësitë e tij lidhur me disa deklarata të zëvendësprokurorit të Speciales si dhe sipas tij, me mungesën e reagimit institucional.

“Keni dëgjuar para tri-katër ditësh një skandal, i cili nga zëvendësprokurori i Gjykatës Speciale ne na quan si njerëz kriminelë, dhe presidentin dhe të tjerët. Kjo për ne është e papranueshme dhe qytetarët e Kosovës dhe ne si shoqata të dala nga lufta na quan si popull kriminal si serbët, që gjëja ne jemi sikur serbët, që ata e varrosen Mlladiqin në radhë në mënyrën më të mirë, si heronj që varrosin një kriminel lufte. Pse asnjë zyrtar nga institucioni i vendit nuk ka dalë të reagojë”, tha Gucati.

Aksioni u zhvillua në 6-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Jakup Krasniqi ishte arrestuar një ditë më herët.

Për këtë çështje është folur të enjten edhe në Kuvendin e Kosovës.

Edhe OVL-UÇK paralajmëron aktivitet simbolik në 6-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së Arbëri OVL-UÇK paralajmëron aktivitet simbolik në 6-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së

Katërshja e UÇK-së është në proces të apelimit të vendimit të shkallës së parë, sipas të cilit, ata janë shpallur fajtorë për krime lufte dhe janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas këtij vendimi të marrë më 16 shtator, është ndërmarrë iniciativë për kufizim të kompetencave të kësaj gjykate përmes ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Ky ndryshim, i iniciuar nga PDK-ja, ka kaluar në Kuvend, por më pas me kërkesë po të PDK-së, është kthyer në Kuvend.