Përfaqësuesja U21 e Kosovës ka mbajtur të mërkurën stërvitjen e parë në Andorrë, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Nën drejtimin e drejtorit teknik të FFK-së, futbollistët e rinj të Kosovës po përgatiten për ndeshjen kundër Andorrës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit 2023. Dueli mes Andorrës dhe Kosovës, zhvillohet të shtunën prej orës 18:00.
“Stërvitja e parë në udhëtim e Dardanëve ka përfunduar me sukses derisa futbollistët janë optimist. Andorra – Kosova zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.
Kjo ndeshje i takon Grupit G, në të cilin Kosova zë vendin e parafundit me tetë pikë të mbledhura kurse Andorra është e fundit pa asnjë pikë në shtatë ndeshje të luajtura në kuadër të këtyre kualifikimeve.
Gjashtë ditë pas ndeshjes me Andorrën, U21 e pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa me datën 13 qershor përballet me Shqipërinë në udhëtim. Për Kosovën U21, këto janë tri ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm.