Sport

Hodgson kthehet në krye të Palacet

Ish-selektori i Anglisë, Roy Hodgson, është rikthyer edhe një herë në krye të Crystal Palacet.

Ekipi nga Premier League ka njoftuar të martën se ka angazhuar Hodgsonin për pjesën e mbetur të sezonit. Hodgson në këtë post e ka zëvendësuar francezin Patrick Vieira, i cili u shkarkua ditë më parë shkaku i rezultateve të dobëta. Hodgson 75-vjeçar e njeh mirë klubin, të cilin e ka udhëhequr edhe më parë.

Ai ka qenë në krye të Crystal Palacet prej vitit 2017 deri në vitin 2021, kur vendosi të largohet.

Ai ka qenë i papunë prej vitit të shkuar kur e përfundoi sezonin me Watfordin, ekip që nuk arriti ta mbajë në elitën e futbollit anglez. Crystal Palace zë vendin e 12 në tabelë me 27 pikë të tubuara pas 28 ndeshjeve të luajtura.